Rusia paralajmëron Britaninë e Madhe që nëse armët britanike do të përdoren për të goditur brenda territorit rus, atëherë Moska do të sulmojë bazat ushtarake britanike brenda Ukrainës dhe jashtë saj.

Ambasadori britanik në Moskë, Nigel Casey, u thërrit në Ministrinë e Jashtme për t’i dorëzuar një notë formale proteste, pasi Sekretari i Jashtëm, David Cameron, tha se Ukraina kishte të dtrejtë të përdorte armë britanike për të goditur Rusinë.

Ministria e Jashtme ruse tha se deklaratat e Cameron e bënin vendin e tij “de facto” pjesë të konfliktit. “Casey u paralajmërua se në përgjigje të sulmeve ukrainase me armë britanike në territorin rus, çdo bazë ushtarake apo pajisje britanike në Ukrainë apo jashtë saj mund të goditen”, tha Ministria e Jashtme e Rusisë.

Lufta në Ukrainë duket ende larg përfundimit. Rusia njoftoi sot se do të nisë stërvitjet bërthamore në përgjigje të dërgimit të armatimeve perëndimore në Ukrainë.