Nga Steven A.Cook, Foreign Policy

Edhe sipas kritereve më sipërfaqësore të diplomacisë së Vatikanit, vizita e fundit e Papa Françeskut në Irak pati një sukses të madh. Ai e përkrahu popullsinë e krishterë të mbetur në vend, dhe çoi më tej përpjekjet e tij për të afruar më njëra-tjetrën besimet Abrahamike, duke takuar Ajatollahun e Madh Ali Al-Sistani,dhe duke mbajtur një fjalim në Ur, vendlindjen e Abrahamit.

Udhëtimi i Papës, e vendosi sërish Irakun në titujt kryesorë të lajmeve botërore, por këtë herë për diçka tjetër përveç Shtetit Islamik, sulmeve me raketa ndaj ambasadës amerikane, Iranit, refugjatëve, apo një morie problemesh të tjera që e kanë pllakosur vendin që nga pushtimi amerikan i vitit 2003.

Dhe nuk kishte dyshim se Papa dukej se po rifitonte sërish ndikimin e tij. Si të gjithë të tjerët, ai dukej se ishte shumë i lumtur që mundi të dalë për herë të parë nga Vatikani pas 1 viti. Polemika e vetme lindi gjatë vizitës në Ur, ku nuk kishte asnjë përfaqësues hebre, ose sepse kanë mbetur shumë pak prej tyre në Irak, ose sepse nuk u ftuan nga zyrtarët irakianë.

Gjithsesi, vizita e Papës në Irak ishte e mbushur me simbolika pozitive. Tani pyetja është çfarë do të ndodhë më tej? Papa – një fjalë që rrjedh nga latinishtja dhe që do të thotë “ndërtues urash”-është kthyer tashmë në Romë, dhe me kalimin e kohës posterat dhe muralet që e mirëpritën në Irak do të zbehen.

Problemet e Irakut do të mbeten po aty. Kjo është arsyeja pse analistët kanë tendencën t’i trajtojnë këto lloj vizitash si shfaqje anësore. Në një vizitë të mëparshme në Lindjen e Mesme, Françesku dhe imami i madh i Al-Azhar, Sheik Ahmed El-Tajeb, nënshkruan atë që u quajt “Dokumenti mbi Vëllazërimin Njerëzor për Paqen në Botë dhe Të Jetuarit së Bashku”, por që nga ajo kohë në Lindjen e Mesme nuk ka pasur shumë vëllazëri dhe paqe.

Sidoqoftë, kjo qasje mund të jetë tepër cinike. Ka disa arsye pse vëmendja e qëndrueshme e Vatikanit në Lindjen e Mesme, do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv atje.

Me të mbërritur në Irak më 5 mars, Papa mbajti një fjalim gjatë të cilit deklaroi:“Sa jemi lutur në gjithë këto vite për paqen në Irak!Shën Gjon Pali II, nuk kurseu asnjë nismë dhe mbi të gjitha ofroi lutjet dhe vuajtjet e tij për këtë qëllim”.

Referenca ndaj Shën Gjon Palit II në fund të fjalës së tij ra shumë në sy. Shën Gjon Pali II ishte sigurisht, Papa Gjon Pali II, që i udhëhoqi katolikët nga viti 1978 deri në vdekjen e tij në vitin 2005. Ai kishte dashur që ta vizitonte Irakun në vitin 2000, por Vatikani nuk mundi të arrinte një marrëveshje me qeverinë irakene.

Ndoshta Sadam Husein dhe këshilltarët e tij ishin dyshues ndaj Papës. Unë jam i gatshëm të vë bast se zëvendëskryeministri i Irakut në atë kohë, Tarik Aziz – një kaldeas katolik – ishte i vetëdijshëm për rolin e jashtëzakonshëm që luajti Papa në çështjet e mëdha të politikës së jashtme të kohës së tij.

Papa Gjon Pali II, ishte një forcë e madhe morale që inkurajoi lëvizjen e Solidarnost në Poloni për t’u përballur me qeverinë komuniste, e cila ndihmoi në përshpejtimin e fundit të Luftës së Ftohtë. Gjithashtu,ai mbështeti ribashkimin e Evropës, përdori prestigjin e tij në luftën kundër Aparteidit dhe kundërshtoi si Operacionin “Stuhia e Shkretëtirës”, ashtu edhe pushtimin amerikan të Irakut 12 vjet më vonë.

Më në përgjithësi, Papa foli për lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut, në mënyra që motivuan shumë ata që punonin drejt këtyre qëllimeve. Kur pati shumë ndërlikime nga gripi pas një drejtimi 27-vjeçar të Selisë së Shenjtë, njerëzit e të gjitha besimeve vajtuan vdekjen e tij.

Bartës i stafetës së tij është Papa Françesku, që në mënyrën e tij ka ndjekur shembullin e Gjon Palit II, duke e ngritur shpeshherë zërin për atë që po ndodh në Lindjen e Mesme. Rajoni ka vuajtur dhe po vuan shumë, dhe udhëheqësit e tij- si dhe ata të fuqive të jashtme – nuk janë në gjendje, nuk kanë vullnet ose janë bashkëpunëtorë në konfliktet që kanë vrarë, plagosur dhe zhvendosur shumë njerëz.

Françesku duhet të luajë një rol domethënës në gjetjen e një rruge për të dalë nga kjo situatë. Duket se fuqia e Papës nuk varet nga mbajtja e premtimeve. Përkundrazi, ndikimi i Françeskut qëndron tek fuqia e zërit të tij për të inkurajuar ndryshimin, duke inkurajuar ata që kërkojnë paqe, dhe kritikuar ata që përdorin dhunë për të çuar përpara axhendat e tyre.

Në disa mënyra, papa e bën këtë tashmë edhe vetëm duke qenë Papë dhe duke u shfaqur në publik. Por nëse pushteti i Françeskut rrjedh nga respekti që audienca e vlerëson, pritja vërtet e ngrohtë që ai pati në Irak, sugjeron se ai ka një shans veçanërisht të madh për të sjellë një ndryshim diplomatik në Lindjen e Mesme.

Askush nuk duhet të presë që Papa të zgjidhë problemet e rajonit. Por nëse ai do të fliste me tone të forta mbi çështje specifike, ai mund të ishte në gjendje të sillte ndryshime në mënyra të vogla dhe të mëdha. Merrni rastin e Libanit, një vend me një popullsi të rëndësishme të krishterë, dhe që është në prag të kolapsit.

Nëse Françesku i drejtohet popullit libanez për çështjen e korrupsionit, kjo mund të ndihmojë aktivistët e shoqërisë civile të çlirohet nga kontrolli i fortë i një klase politike famëkeqe dhe të korruptuar. Sërish,elementët më të rëndësishëm në veprim janë prestigji i Papës dhe forca morale që ai përfaqëson për çdo çështje që trajton.

Duke folur në emër të atyre që duan të jetojnë në një shoqëri më të drejtë duke e çrrënjosur korrupsionin, Francesku i fuqizon ata. Ndërkohë,Siria mund të jetë gjithashtu një vend ku Françesku mund të bëjë ca punë të mira. Unë ndoshta jam naiv. Politikanët e korruptuar do të vazhdojnë të ankohen, dhe Bashar Al-Asad është ende i fuqishëm.

Por duket se autoriteti moral i Papës – siç e bëri të qartë edhe përvoja e Papa Gjon Palit II-mund të ketë një efekt dinamik në politikë, diplomaci dhe arenën ndërkombëtare. Imagjinoni pak nëse Françesku do të fliste drejtpërdrejt,me ton të fortë dhe vazhdimisht për trajtimin e politikanëve kurdë në Turqi apo abuzimet me të drejtat e njeriut në Egjipt.

Fjalët e tij mund të siguronin nisma politike dhe diplomatike për t’i adresuar këto probleme, qoftë vetëm sepse zyrtarët turq dhe ata egjiptianë do ta dinin se janë nën vëzhgimin e Papës. Krerët e këtyre vendeve janë të paturpshëm dhe mizorë, por është e vështirë të sfidosh Papën.