Lideri opozitar Lulzim Basha paralajmëroi sonte se nëse vjen në pushtet pas zgjedhjeve  25 prillit, uk do të pranojë për qytetarët shqiptarë asnjë vaksinë që nuk përdoret për qytetarët e Bashkimit Europian.

Basha la të kuptohet kështu se është kundër injektimit të vaksinave ruse Sputnik V dhe asaj kineze Sinovac që po përdoren për vaksinim masiv në Shqipëri, vaksina që nuk janë certifikuar nga EMA Agjencia Evropiane e Barnave.

Për z. Basha, menaxhimi i pandemisë nga Edi Rama është njësoj si çdo aspekt tjetër i këtyre 8 viteve që sipas tij ka qenë një dështim katastrofik.

“Dhe çështja e vaksinave nuk përbën asnjë të re është po kështu dështim. Pse? E para e punës, vaksinat blihen me paratë e shqiptarëve.

E dyta e punës besueshmëria tek procesi i vaksinimit vjen duke bërë transparencë. E para bën sikur i ka sjellë vetë, sikur i ka paguar me paratë e veta dhe e dyta nuk jep asnjë llogari, asnjë transparencë se si janë siguruar ato.

Ndërkohë kemi raportime që numri i atyre që duan të vaksinohen po bie me shpejtësi. Kemi raportime vdekjesh dhe të sëmurësh pasi janë administruar me një vaksinë.

Po ne nuk jemi në gjendje të gjykojmë sot sepse ai ka ndërprerë elementin themelor të transparencës dhe të debatit publik apo profesional, që janë të dhënat.

Të dhënat e vërteta jo të manipuluara e kjo është arsyeja pse ka dështuar dhe qëndrimi dhe plani ynë për të administruar këtë çështje shumë të rëndësishme është fare i thjeshtë: Ne kemi një grup ekspertësh të mbështetur nga 4 ekspertë perëndimorë dhe ne do të sigurojmë në kohën më të shkurtër të mundshme përmes transparencës, një besueshmëri te procesi i vaksinimit, vaksina cilësore të cilat janë të domosdoshme për të kapërcyer pandeminë. Do ta bëjë qeveria e zgjedhur pas 25 prillit”, tha z.Basha në intervistën e sotme për Syri TV.