Partia Demokratike, e drejtuar nga Lulzim Basha nuk do të ketë kandidat për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës. Në garë janë vetëm Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste.

Afati për regjistrimin e kandidatëve në KQZ është sot në mesnatë.

Në një njoftim, PD, Dega Kukës bën të ditur se vendimi u mor pas diskutimeve dhe konsultimeve me strukturat drejtuese të partisë.

Shkak për mos marrjen pjesë në garën elektorale të shtatorit, PD zyrtare bën kohën e pamjaftueshme në dispozicion si dhe “pasojat e frymës së konfliktit të ndezur mes demokratëve.”

Për PD, kjo është koha që të anëtarët të fokusohen te ringritja e degës së Partisë dhe “krijimit të alternativës që presin qytetarët e Kukësit për të rrëzuar qeverinë.”

Partia Demokratike Dega Kukës, duke ndjekur me përgjegjësi të lartë politike dhe morale situatën e krijuar në Kukës, pas diskutimeve dhe konsultimeve me anëtarët dhe strukturat drejtuese të Partisë Demokratike Dega Kukës; duke vlerësuar se interesi i demokratëve dhe i të gjithë qytetarëve të Kukësit që duan ndryshim është rrëzimi i qeverisë, në kushtet e kohës së shkurtër dhe të pamjaftueshme për të riorganizuar degën e partisë pas pasojave tepër negative të frymës së konfliktit të ndezur padrejtësisht mes demokratëve, gjykojmë se tani është koha që së pari të fokusohemi te ringritja e degës së Partisë Demokratike, krijimi i alternativës që presin qytetarët e Kukësit dhe në betejën për rrëzimin e kësaj qeverive, që po i varfëron çdo ditë e më shumë shqiptarët. Për këtë arsye, ne nuk do të propozojmë kandidat për zgjedhjet për Bashkinë e Kukësit.
Partia Demokratike Dega Kukës qëndron fuqimisht në mbrojtje të interesave të kuksianëve, në mbështetje të tyre. Kuksianët meritojnë një alternativë që do t’u shërbejë atyre dhe jo gara të paracaktuara nga oligarkët në kurriz të demokratëve.

Deklaratë e Partisë Demokratike, dega Kukës