Presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të jetë në Tiranë në datat 20 dhe 21 dhjetor për një takim të nismës rajonale të Ballkanit të Hapur.

Mediat serbe shkruajnë se në takimin e organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të marrë pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Për vizitën e Vuçiç në kryeqytet foli pak ditë më parë edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Madje nga Kuvendi i thirrur më 11 Dhjetor, lideri historik i demokratëve e paralajmëroi presidentin serb që të mos vijë në Tiranë. Berisha deklaroi se Vuçiç do t’i ketë rrugët dhe sheshet plot me qytetarë shqiptarë.

“Ballkani i Hapur është Ballkani i Hegjemonisë serbe, i zonës së influencës direke ruse. Është Ballkani i interesave antikombëtare, anti-europiane, projekti që kërkon që të zëvendësojë shqiptarëve me kombe të tjera, procesin e Berlinit me procesin e Putinit. Ne zotohemi që t’i japim fund këtij procesi. Paralajmërojmë Sllobodanin e ri të Milloshevic mos mendo që të vish në Tiranë. Sheshet dhe rrugët do t’i kesh plot në Tiranë.”, tha Berisha pesë ditë më parë.