“Mbreti” turk i kriptomonedhave, Faruk Ozer është dënuar me 11.196 vite burg. Themeluesi i Thodex, i cili u dënua për pastrim parash, mashtrim dhe themelim të një organizate kriminale. Prokurorët kishin kërkuar dënimin e 29-vjeçarit me 40.562 vjet burg.

“Unë jam mjaft i zgjuar për të udhëhequr çdo institucion në Tokë. Kjo është e dukshme në këtë kompani që kam krijuar në moshën 22-vjeçare. Nuk do të kisha vepruar kaq amator nëse kjo do të ishte një organizatë kriminale”, mësohet se ka thënë Faruk Ozer në gjykatë, raporton Anadolu.

Gjithashtu, edhe dy vëllezërit e tij, Güven Özer dhe Serap Özer u dënuan me nga 11.190 vjet secili me akuzën e “krijimit, drejtimit dhe anëtarësimit në organizatë kriminale”, “mashtrimit”, “pastrimit të parave”.

Nga ana tjetër, të pandehurit Faruk Fatih Özer, Güven Özer dhe Serap Özer u dënuan me gjobë prej 135 milionë lirash turke për “mashtrim duke përdorur sisteme informacioni”. Të pandehurit e tjerë janë dënuar me burgim të shkallëve të ndryshme për krime të ndryshme.

Turqia është e njohur për dhënien e dënimeve me shumë vite burg, të cilat u bënë më të zakonshme pasi hoqi dënimin me vdekje në 2004 për të ndihmuar përpjekjet e saj për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

I riu turk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, kishte lëshuar urdhërarresti ndaj tij, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Ai akuzohet për mashtrim të 391 mijë qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, mashtrim me dëm ekonomik 2 miliardë dollarë.