Prokuroria e Tiranës lehtëson akuzën për anëtarët e fisit Rraja në lidhje me episodin e dhunës ndaj Bilbil e Jashar Majas. Ndryshe nga nisja e hetimit për “plagosje të rënë me dashje, në bashkëpunim”, pas publikimit të dhunës me shkop bejsbolli prokuroria ka vlerësuar që hetimi duhet të vijojë për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.

Ndryshimi i kualifikimit ka ardhur pas administrimit të akt-ekspertimeve mjeko-ligjore ndaj të dëmtuarve. Përveç lehtësimit të pozitës penale, akuza e re kërkon ankim nga të dëmtuarit për vijimin e hetimit.

Çka do të thotë, nëse Bilbil e Jashar Maja nuk kërkojnë hetimin e dhunuesve të tyre, çështja penale ndaj Rrajave mund të pushohet.

Kujtojmë se pas ngjarjes së rëndë, Rrahman Rraja dorëzoi mandatin e deputetit pasi i përfshirë në episodin e dhunshëm ishte i biri Rexhep Rraja dhe familjarë të tjerë të tij.  

Sherri mes tyre nisi për shkak të gurores në Borizane, pasi fisi Maja ankohej se aktiviteti i saj i kishte dëmtuar banesat.

Palët u takuan në një lokal dhe fisi Rraja ushtroi dhunë brutale ndaj Majave duke i qëlluar ata me shkopinj bejsbolli.