Kulmaku, vendi i shenjtë në malin e Tomorit, po bëhet gati të presë vizitorët e shumtë edhe këtë vit. Nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, por edhe nga jashtë vendit, çdo fund-gushti (20-25) ngjiten drejt vendit të shenjtë mijëra njerëz, duke besuar e shpresuar te bekimi i Abaz Aliut.

Mijëra pelegrinë udhëtojnë drejt Teqesë së Kulmakut për të kremtuar festën e Baba Tomorrit nën ritmet fetare të bektashinjve, pavarësisht besimeve fetare që iu përkasin. Të gjithë besimtarët dhe pelegrinët që i bashkohen kësaj feste të shenjtë, në shenjë mirësie bëjnë kurban një qengj për veten dhe familjen.

Për të shkuar gjithçka sa më mirë, në qetësi dhe siguri të plotë, uniformat blu të qarkut të Beratit kanë bërë me dije masat e marra: “Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatet e Policisë Berat, Kuçovë dhe Skrapar, në bazë të një plani të detajuar masash, janë angazhuar me qëllim sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin e krimit dhe rritjen e sigurisë rrugore, lëvizjen e qarkullimit normal të mjeteve e këmbësorëve në rrugë dhe në zonat turistike, gjatë zhvillimit të pelegrinazhit në malin e Tomorit.

Nis më 20 gusht pelegrinazhi i Tomorrit, pólicia merr masa të rrépta -  FaxWeb

Në kuadër të masave të marra për zhvillimin e pelegrinazhit, do të bashkëpunohet me Organet e Pushtetit Vendor, P.M.N.Z.SH, Spitalin Rajonal Berat, Kryegjyshatën Botërore të Bektashinjve, gjithashtu dhe me Institutin e Shëndetit Publik, për të bërë të mundur marrjen e masave dhe zbatimin e protokolleve të sigurisë shëndetësore përgjatë ditëve të pelegrinazhit. Shërbimet e policisë më të përqendruara do të jenë përgjatë akseve rrugore: Urë e Kuçit-Berat-Poliçan- Pronovik-Novaj–Teqe. Poliçan -Çorovodë; Çorovodë-Gjerbës–Teqe e Kulmakut; pika të tjera që do të vendosen si dhe në territorin ku zhvillohet aktiviteti i pelegrinazhit.

Do të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore në akset kryesore, për përballimin e fluksit të automjeteve, orientimin dhe marrjen e masave ndaj përdoruesve të rrugës me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve gjatë periudhës së pelegrinazhit për në malin e Tomorit. Po ashtu, janë marrë të gjitha masat për përcaktimin e vend-qëndrimeve të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore, pelegrinëve dhe Policisë së Shtetit, me qëllim disiplinimin e lëvizjes së automjeteve.

Këshillohen të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke evituar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë shpejtësinë e lejuar. Drejtoria Vendore e Policisë Berat kërkon bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për zbatim rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor”.