Zbardhet dëshmia e shoferit të kamionit Nazif Ajroski, i cili u arrestua nga policia, pasditen e sotme në portin e Durrësit pasi u kap duke transportuar 300 kg kokainë.

Burime bëjnë me dije se ai është shprehur se nuk ka pasur dijeni se në kamion kishte lëndë narkotike duke theksuar se merret vetëm me transportin e hekurit. “Nuk kam pasur dijeni për lëndën narkotike që ndodhej në kamion”, është shprehur ai.

Lenda narkotike ishte vendosur në pjesë të ndryshme të kamionit të ndaluar këtë pasdite në port, pjesa më e madhe është gjetur ne sebrator. Tashmë autoritetet policore po bëjnë kontrollin e imtësishëm të kamionit për të verifikuar nëse ka sërish lëndë narkotike të fshehur brenda tij.

Gjithçka është zbuluar gjatë një kontrolli rutinë, ku skaneri ka pikasur se brenda kamionit që kishte ardhur tranzit nga Maqedonia dhe do të nisej drejt Italisë ka pasur diçka të jashtëligjshme. Pas kontrollit të detajuar është gjetur lënda narkotike.

Tashmë hetuesit po bashkëpunojnë me homologët maqedonas për të zbardhur detaje të tjera në lidhje me kompaninë që transportonte hekurin dhe rrjetin e transportit të lëndës narkotike.