Igli Tare mund ta largohet nga Lazio. Në Itali, konkretisht gazeta “Tuttosport”, shkruan se vlonjati do të jetë nesër në takimin me presidentin Claudio Lotito dhe trajnerin Simone Inzaghi.

E ardhmja e drejtorit sportiv është në dyshim, për shkak të disa transferimeve të kohëve të fundit. Afrimet e Vedat Muriqit, Riza Durmishit dhe Jony Rodriguez (i huazuar tek Osasuna për momentin) janë të freskëta në mendjen e presidentit Lotito.

Ky i fundit nuk ka gjasa që ta shkarkojë Taren para se t’i përfundojë kontrata, që është e vlefshme edhe për dy vite. Ish-lojtari i kombëtares përfiton 2 milion euro në sezon.

Presidenti Lotito kërkon të kuptojë se sa mund të vazhdojë t’i japë Tare klubit të tij. Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë, ndërkohë që edhe për Inzaghin ka shumë zëra se mund të mos rinovojë.