Të shtëna me armë zjarri janë ndjerë mbrëmjen e djeshme në Kamzë, ku një 32-vjeçar qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të një të riu me qëllim për  ta vrarë. Burime zyrtare bëjnë me dije se fill pas ngjarjes që ndodhi në mes të Kamzës ka ndërhyrë policia duke arrestuar 32-vjeçarin, të cilit iu kap edhe arma e krimit.

Fillimisht të rinjtë janë grindur me fjalë, por më pas 32-vjeçari ka nxjerrë armën duke qëlluar disa herë ndaj tij, por për fat të mirë plumbat nuk e kanë zënë të riun. Ky i fundit rezulton një emër i njohur për policinë, pasi është dënuar më herët për vjedhje.

Shtetasi E. S., në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici.  Shërbimet e Policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit E. S., kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak”, njofton policia.