Kryetari i PD-së, Lulzim Basha u shpreh mbrëmjen e sotme se hera e fundit që ka folur me zë me Sali Berishën ka qenë data 9 shtator, kur e pezulloi nga grupi parlamentar dhe se më pas ka pasur vetëm një moment shkëmbimi mesazhesh, ku ish-kryeministri e ka ngushëlluar për humbjen e të atit. Kryedemokrati tha se është i hapur për t’u ulur në një tryezë me Sali Berishën me një kusht, që të tërhiqet nga aksioni që ka ndërmarrë dhe akuzat që ka bërë.

A do të pranonit një negocim nga PPE për të zgjidhur krizën brenda PD-së?

PPE është partia jonë nënë, në të cilën bëjmë pjesë, është me norma dhe parime që pasqyrohen në statutin tonë, e gjithë beteja është respektimi i këtyre normave. Nuk ka dy palë. Duhet të ketë një premisë. Nuk ka ndarje Basha-Berisha, nuk ka dy palë në PD. Ka një individ që ka një peshë të caktuar historike i cili për interesat e tij po i mbivendoset interesave të demokratëve.