Policia në Shkodër ka arerstuar një burrë pas telefonatës që bëri gruaja në komisariat.

Burime për Noa.al bëjnë me dije se nga specialistët për hetimin e krimeve në komisariatin e Policisë Shkodër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 35 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër.   Arrestimi i tij u bë pasi shtetasja B. K., 32 vjeçe, ka telefonuar në sallën e komandimit të DVP Shkodër, se bashkëshorti i saj po ushtronte dhunë fizike ndaj saj dhe e kishte kanosur me armë gjahu.

Menjëherë pas telefonatës, shërbimet e komisariatit të Policisë Shkodër kanë vlerësuar situatën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë, në lagjen “Skënderbeg”, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të këtij konflikti dhe duke arrestuar në flagrancë bashkëshortin e shtetases B. K.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut çifte me fishekë në fole, me të cilën 35-vjeçari kishte kanosur bashkëshorten, si dhe një sasi fishekësh arme gjahu.   Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja“ dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.