Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit të Muzeut Etnografik, si edhe grantit të BE për banorët dhe Bonusit të Rijetëzimit të shtëpive të vjetra, në funksion të ekonomisë familjare e turizmit.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë banorëve që të përfshihen.

Mes të tjerash, Rama theksoi se do iu ofrojë asistencë të gjithë atyre banorëve që janë të interesuar dhe kanë nevojë të përfshihen në këtë proces.

“Ne kemi bindjen se ky program ka një potencial të jashtëzakonshëm. Ne do ta fuqizojmë atë vit pas viti. Të ndërtojmë modelet e duhura në fushën e zhvillimit rural, ku AZHBR ka qenë një urë ndërveprimi dhe harmonizimi i financimeve mes BE, qeverisë shqiptare dhe sipërmarrjes private. Ftesa ime, apeli im, për të gjithë banorët e këtyre zonave, këtu në Krujë në zonën e Kalasë, por jo vetëm, në Berat, në Gjirokastër, Shkodër e kudo ku ka të tilla vlera, është që të përfshihen dhe të bëjnë atë që na mëson çdo ditë e më shumë rruga e evropianizimit dhe integrimit në familjen evropiane.

Ne po ashtu do të ofrojmë dhe asistencë për të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë nevojë të përfshihen në këtë proces. E fundit që kam është se kemi pasur qysh në krye të herës bindjen se kjo krizë e madhe ishte një mundësi e madhe dhe se nga kjo goditje e madhe mund, duhet e do të dilnim më të fortë, duke rindërtuar për të pasur mbrapsht ato që humbëm, por me cilësi, standarde, shumë më të mira se ç’ishin më përpara se të goditeshin nga tërmeti”, tha Rama.