Negociatat para votimit në Kuvend të propozimit të maxhorancës për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut deri në vitin 2024 kanë futur në lojë edhe ndërkombëtarët. Burime bëjnë me dije se përgjatë ditëve të fundit zyrtarë të lartë të ambasadave të vendeve të perëndimit në Tiranë kanë shkuar në selinë blu për të arritur një unanimitet mes palëve sa i takon këtij procesi.

Si përgjigje ata kanë hasur një kundërshtim në lidhje me këtë çështje pasi demokratët distancohen nga ky votim, duke qenë se propozimi ka ardhur nga socialistët dhe mund të perceptohet në publik si një ujdi e mundshme mes palëve.

Negociatat janë shtrirë edhe në selinë rozë, duke bërë që retorika mes palëve të zbutet gjatë ditëve të fundit ndërsa socialistët duket se kanë lëshuar “pe” nga disa qëndrime të forta në komisionet hetimore përballë kërkesave të demokratëve.

Vetë kryedemokrati Lulzim Basha ende nuk është shprehur në lidhje me këtë çështje, ndërsa sipas burimeve deri më tani deputetët e PD nuk janë njoftuar për një vendim të grupit parlamentar në lidhje me votimin e nesërm.

Nga ana tjetër deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj i cili është njëherazi në krah të ambasadores amerikane Yuri Kim ku kjo e fundit i kërkonte bashkëpunim të fortë mes SHBA dhe Shqipërisë në vazhdim, vetëm pak orë nga votimi për vetingun.

Më e qartë duket situata në kampin e Berishës, të cilët në daljet e tyre kanë deklaruar kundër. Sot deputeti Edi Paloka shprehu qëndrimin e tij kundër ndonëse nesër nuk do të jetë në Kuvend për të votuar. “Në pamundësi për të qenë nesër prezent në seancën parlamentare ku do të diskutohet dhe votohet për zgjatjen e afatit të komisionit të Vetingut, po bëj publik qëndrimin tim “KUNDËR “!

Kush voton për t’i zgjatur jetën një komisioni të përbërë nga familjarë të afërt të qeveritarëve, i cili në të gjithë aktivitetin e tij ka marrë vendime politike, duke kthyer në farsë reformën në drejtësi, është thjeshtë shërbëtor i Ramës ne kapjen e plotë të drejtësisë! Deputetët që janë në atë Parlament me votën e demokratëve, nuk mund të bëhen pjesë e një procesi të tillë”, shkruan mes të tjerash Paloka.

Edhe vetë Berisha pak ditë më parë i ftuar në emisionin “Log.” në ABC doli kundër maxhorancës. “Vetingu, mekanizmi më shkatërrimtar i sistemit të drejtësisë. Unë nuk bëhem më bashkë-fatjor të një sistemi që la Shqipërinë 100% të kapur nga narko-ekzekutivi që privoi shqiptarët nga e drejta themelore e një procesi të drejtë gjyqësor që i kushtoi këtij vendi miliarda euro për çështje civile që ka bllokuar investimet e huaja në Shqipëri”, tha Berisha.

As aleatët nuk kanë një qëndrim të qartë sa i takon votimit të nesërm në Kuvend. Dash Shehi deklaroi mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ se do të presë si do të shkojë debati publik në Kuvend për të zgjedhur nëse do të votojë pro apo kundër.

Kushtetuta ka parashikuar kur KPK-së i mbaron mandati, puna i kalon KLP-së dhe KLGJ-së. Por nga socialistët është argumentuar se duhet zgjatja e mandatit pasi ky proces i filluar nga ky komision pra vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve, duhet të mbyllet nga po ky komision.