Moti i keq ka përfshirë të gjithë vendin nga mëngjesi i kësaj të hëne. Aktualisht, reshjet po bien me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të vendit, përjashtuar skajin veriperëndimor, ku reshjet janë disi të konsiderueshme.

Janë orët pas mesditës që sjellin rritje të menjëhershme të intensitetit të reshjeve në veri dhe në zonat qendrore, deri pranë Beratit. Ndërsa zonat jugore do të marrin reshje të pakta shiu, përjashtuar skajin jugor, ku në mesnatë priten rrebeshe të shkurtra shiu.

Problematike paraqitet shtrirja veriore nga Vermoshi deri në luginën e Matit ku që në mesditë, rrebeshet e shiut do të jenë të shpeshta të shoqëruara edhe me forcim të erës dhe për pasojë, janë të mundshme jo vetëm rrëshqitjet e dherave në akset rrugore por edhe përmbytje të përkohshme në zona urbane në veriperëndim dhe perëndim të vendit. Parashikohet që pasditja e së martës të pakësojë dukshëm reshjet, duke i lënë vendin reshjeve të pakta dhe afatshkurtra ku sasia e akumuluar ditore të jetë jo më shumë se 40 milimetra.

E mërkura pritet të sjellë vetëm momente me shi të dobët në sasi të papërfillshme, por të enjten reshjet rifuqizohen në veri dhe pjesërisht në zonat qendrore. Megjithatë, nuk ka të dhëna për përmbytje në këto zona. Nga e premtja dhe në vijim kushtet e motit stabilizohen gradualisht, njëlloj si edhe situata termike e vendit.

Më problematike për të hënën dhe të martën shfaqet era dhe mjegulla, që do të shkaktojnë pengesa në trafikun rrugor dhe detar. Era parashikohet të arrijë shpejtësinë deri në 75 km/h, ndërsa dallgëzimi në det do të arrijë deri në 5-6 ballë, duke reduktuar shikueshmërinë në 2 deri në 2,5 metra në disa akse rrugore.

Këto kushte të motit ekstrem, me reshje intensive që sjellin përmbytje, stuhi të forta detare dhe tokësore kanë përfshirë kontinentin europian që në ditët e para të vjeshtës 2022 dhe pritet që në 6-mujorin e ardhshëm, kushtet e klimës të pësojnë luhatje të konsiderueshme, nga një ekstrem në tjetrin.