“Nuk i paguaj faturat” apo “Nuk kam më asnjë euro për gjysmën tjetër të muajit”. Me slogane të tilla italianët protestuan kundër çmimeve rekord të gazit dhe elektricitetit, mes rritjes së kostove të jetesës në vend.

Protestuesit kërkuan ulje të çmimeve, rritje pagash dhe më shumë mbështetje për familjarët, në mënyrë që t’i mbrojnë nga kostot e larta të energjisë.

“Njerëzit po fillojnë të ndjejnë rritjen e çmimeve në faturat e tyre. Për segmentin më të dobët të popullisë që ka rrogat më të ulta, ky po bëhet një problem shumë serioz”, thotë një nga protestuesit. 

Çmimet e larta të energjisë, të nxitura nga lufta në Ukrainë, kanë shtuar presionin ndaj qeverive rreth Europës. Bashkimi Europian, që më parë mbështetej tek Rusia për rreth 40% të gazit, po përpiqet të  shkëpusë varësinë nga Moska.

Importues të mëdhenj si Gjermania dhe Italia kanë gjetur burime alternative dhe po mundohen të krijojnë rezerva përpara dimrit që premton të jetë i vështirë, mes çmimeve stratosferike dhe ndërprejes së energjisë.