Fatkeqësia e tyre mban emrin HIV. Është ky virusi që ka infektuar djalin e tyre 1-vjeçar, edhe pse të dy prindërit janë negativë. Ata kanë vendosur të thyejnë heshtjen dhe të tregojnë historinë, shokun psikologjik dhe kalvarin e vuajtjeve me djalin e infektuar.

Të gjitha dyshimet e prindërve bien mbi shërbimin e pediatrisë në QSUT, gjatë kohës kur i mituri u shtrua në pavijon për shkak të një viroze të stinës. Pas daljes nga spitali, tek i mituri nisën probleme të tjera shëndetësore deri në zbulimin e virusit që i shkaktonte ato.

“Shtrimin e parë e ka pasur më 12 nëntor 2021 dhe ka dalë në datën 9 dhjetor 2021. Në datën 31 dhjetor ka nisur një temperaturë e pazakontë, e shoqëruar me diarre të vazhdueshme. Më 31 janar, kaloi një infeksion të rëndë urinar. Më 20 shkurt, përsëri gjendja nuk ndryshon dhe i nis një frymëmarrje e shpejtuar. E shtrojmë në datën 2 mars 2022, pra bëhen 5 kartela shtrimi pranë Pediatrisë në QSUT. Një doktor i bën testin e HIV-it, i cili del pozitiv. Na u komunikua diagnoza e djalit pa prezencën e asnjë psikologu. Falë njerëzve që kishim pranë nesh e kemi kaluar sepse mund të kishim ndërmarrë edhe një akt ekstrem”, thotë babai i fëmijës, në kushte anonimati.

Por si mund të jetë infektuar fëmija? Prindërit dyshojnë për gabime nga ana e stafit mjekësor gjatë injeksioneve, manipulimeve të ndryshme mjekësore gjatë trajtimit deri te një ngatërrim i mundshëm i biberonëve me qumështin e gjirit që nënat jepnin për fëmijët e mitur që ndodhin të shtruar në reanimacion.  

“Nga konsultimi që kemi pasur edhe jashtë, ekzistojnë mënyra të ndryshme, nga transfuzioni i gjakut dhe jo vetëm. Në periudhën që kemi qenë ne ka pasur dyndje shtrimesh. E shtrydhnin qumështin dhe e sillnin pa një numër identifikimi, pa një emër. Sipas pohimit të infermierëve që kemi pasur kontakt më vonë, na kanë konfirmuar që kishin në dispozicion vetëm 3 doreza gjatë ditës së punës, pra ato shërbenin, i lanin dhe më pas kryenin injeksione”.

Babai i 1-vjeçarit akuzon sistemin shëndetësor, por edhe drejtësinë, që sipas tij po përpiqen të mbyllin çështjen. Ai kërkojnë hetim të thelluar deri dhe testim të fëmijëve dhe familjareve te tyre që kanë qenë të shtruar në atë kohë në spital. “Janë të gjithë të rrezikuar dhe normalisht, uroj e shpresoj të mos ketë fëmijë të tjerë të infektuar”.

Prindërit e të miturit janë vendosur në një shtet tjetër për trajtimin e djalit më HIV. Ndërkohë drejtues të Institutit të Shëndetit Publik të kontaktuar nga A2 CNN thonë se vijon hetimi i thelluar edhe pse bëhet fjalë për një rast të vështirë sipas tyre. Mënyrat e transmetimit të HIV janë kontaktet seksuale të pambrojtura, përmes gjakut dhe transfuzioneve të ndryshme, por edhe përmes qumështit të gjirit kur nëna është ë infektuar dhe mund t’ia kalojë foshnjës./ a2