Ripërshtatja gjermane e klasikut kundër-luftës, “Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” ishte fituesi i madh i çmimeve të Akademisë britanike të filmit, BAFTA, duke triumfuar në kategoritë më të rëndësishme. I bazuar në romanin me të njëjtin titull të Erich Maria Remarque që tregon tmerret e Luftës së Parë Botërore, nga perspektiva e një ushtari gjerman, drama e Netflix e nisi mbrëmjen me plot 14 nominime, duke u bërë një prej filmave  më të vlerësuar, jo në gjuhën angleze, në historinë e BAFTA. Ai mori në total 7 trofe; përfshirë si filmi më i mirë, për skenarin, kinematografinë e muzikën me të mirë.

“Asgjë e re nga Fronti i Perëndimit tregon historinë e djemve të rinj të cilët u helmuan nga propaganda e politikës së djathë, e që shkuan në luftë duke menduar se ajo do të ishte një aventurë. Por lufta është gjithçka tjetër përveçse aventurë”, tha producenti Malte Grunert.

Austin Butler çimenton pozitat si kandidati kryesor për çmimin “Oscar” të këtij viti, pasi u shpall aktori më i mirë protagonist për interpretimin e Elvis Presley në dramën biografike të Buz Luherman. 31-vjeçari e mori të njëjtin çmim edhe në ceremoninë e Golden Globes. “Nuk mund të falënderoj mjaftueshëm familjen Presley për dashurinë dhe për faktin që ndanë më mua, se kush ishte vërtetë Elvis. Shpresoj t’iu kem bërë krenar”, tha ai pas fitimit të çmimit.

Cate Blanchett u shpall aktorja më e mirë në rol kryesor për interpretimin e një dirigjenteje homoseksuale të orkestrës së Berlinit, karriera e të cilës kërcënohet nga një skandal seksual. “Banshees of Insherin”, mbi dy miq që zihen në një ishull pranë Irlandës, u vlerësua si filmi më i mirë britanik, ndërsa “Navalny”, për opozitarin e burgosur në rusi, Aleksi Navalny u shpall si dokumentari më i mirë.