Pasi KAS i dha dritën jeshile për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 majit, Enkelejd Alibeaj i ka bërë thirrje grupimit tjetër të Partisë Demokratike që t’i lënë mënjanë mëritë e të bëhen bashkë kundër mazhorancës.

Në një reagim pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, Alibeaj shprehet se vonesa dyjavore që u bë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, është në dëm të demokratëve dhe qytetarëve shqiptarë.

Ai u bëri thirrje kandidatëve demokratë që të bashkohen dhe të dalin me ofertë të unifikuat për zgjedhjet e kësaj pranvere.

Vendimi i sotëm i KAS është konfirmim i detyrimit ligjor për të regjistruar PD në zgjedhjet lokale të 14 majit. Vonesa gati dy javore për këtë proces, me autor kryekomisionerin Celibashi është një dëm që u është bërë demokratëve dhe shqiptarëve nga zgjatimet e politikës së vjetër në institucionet e pavarura kushtetuese. Me këtë rast, edhe njëherë ftojmë të gjithë kandidatët demokratë, pa asnjë dallim të bashkohemi dhe të prezantohemi me një kandidat të PD në zgjedhjet lokale. Le të lemë mënjanë mëritë dhe mosmarrëveshjet dhe le të bëjmë më të mirën e mundshme përballë regjimit të Edi Ramës.

Enkelejd Allibeaj