Autoritetet në Korenë e Veriut bëjnë me dije se në muajt e fundit 800 mijë persona, studentë, punëtorë ose ish-ushtarakë kanë shprehur gatishmërinë të regjistrohen në ushtri për të qenë gati për të luftuar kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajmi u publikua në televizionin shtetëror të regjimit, disa ditë pasi Peniani testoi një tjetër raketë kontinentale për të kundërshtuar stërvitjen e përbashkët ushtarake mes SHBA dhe Koresë së Jugut.

Forcat koreano-jugore dhe ato amerikane nisën të hënën stërvitjen e përbashkët 11-ditore të quajtur “Mburoja e Lirisë 23”, e cila përfshin një numër të madh ushtarësh dhe mjetesh të sofistikuara.

Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut tha të enjten se stërvitjet nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë çuar situatën në një “vijë të kuqe ekstreme” dhe kërcënojnë ta kthejnë gadishullin në një “arsenal të madh lufte dhe një zonë kritike lufte”.