Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bën thirrje liderëve ndërkombëtarë pas videos së publikuar në rrjetet sociale ku tregohen ushtarë rusë, duke u prerë kokën dy ushtarëve ukrainas.

“Ka diçka që askush në botë nuk mund ta injorojë: sa lehtë vrasin këto bisha. Kjo është një video e Rusisë siç është. Ky nuk është një aksident. Ky nuk është një episod. Ka ndodhur mijëra herë. Të gjithë duhet të reagojnë”, argumenton Zelensky në mediat sociale.

Një video që qarkullon në rrjet, tregon kufomat e prera të kokave të dy ushtarëve ukrainas të shtrirë në tokë pranë një automjeti ushtarak të shkatërruar.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, e krahason Rusinë me Shtetin Islamik pas videos së prerjes së kokës së ushtarëve ukrainas.

“Një video e tmerrshme e trupave ruse duke i prerë kokën një të burgosuri ukrainas po qarkullon në internet. Është absurde që Rusia, e cila është më e keqe se Shteti Islamik, të kryesojë Këshillin e Sigurimit të OKB-së”, denoncoi ai, duke iu referuar presidencës së radhës të marrë nga Moska, këtë muaj.

“Terroristët rusë duhet të dëbohen nga Ukraina dhe Kombet e Bashkuara dhe të mbahen përgjegjës për krimet e tyre”, shtoi Kuleba.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Moskës, e cila shprehet se do ta hetojnë nëse kjo është e vërtetë.

“Nëse videoja me imazhe të tmerrshme të prerjes së kokës së një ushtari ukrainas nga ushtarët rusë do të ishte e vërtetë, mund të ketë një hetim. Ne duhet të verifikojmë imazhet”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, siç raporton Tass.

Edhe OKB-ja është shprehur e “tmerruar” nga videoja e prerjes së kokës së një të burgosuri ukrainas nga ushtarët rusë që qarkullon në rrjet.