Rritja e normave të interesit po jep një efekt të dukshëm në sistemin financiar në vend, duke ndikuar edhe mbi kursin e këmbimit. Vlera e kredisë së re u ngadalësua ndjeshëm në tre muajt e parë të vitit, në 63,7 miliardë lekë, 2 miliardë më pak se një vit më parë, teksa bizneset po marrin më pak hua prej kostove të larta.

Kredia e re për sipërmarrjen ra në 37,9 miliardë lekë, nga 42,7 miliardë një vit më parë. Këto para po përdoren më pak për investime dhe blerje pajisjesh, teksa kompanitë po kërkojnë më shumë overdraft dhe kapital qarkullues, thënë ndryshe frymëmarrje për të realizuar pagesat e furnitorëve, taksave dhe pagat e punonjësve.

Nga ana tjetër, kredia për individët regjistroi një rritje të lehtë në 21,5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-mars, por ndjeshëm më të vogël se ecuria e vitit të shkuar. Banka e Shqipërisë raporton një zhvendosje të fortë drejt kredive në euro, veçanërisht për blerje banesash. Kjo për shkak të normave të interesit ndjeshëm më të ulëta në valutë.

Në total, edhe pse kreditë e reja u tkurrën, sistemi bankar dha 5 miliardë lekë më shumë kredi në euro se tre muajt e parë të vitit. Kjo zhvendosje e bizneseve dhe qytetarëve drejt kredisë në euro duket se është një prej faktorëve që po ndikon edhe kursin e këmbimit valutor, duke shtuar ndjeshëm praninë e valutës europiane në treg.