Rusia është e gatshme për të zhvilluar dialog lidhur me një marrëveshje politike me Ukrainën. Kështu pretendon zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, që citohet nga mediat vendase. Megjithatë, zyrtari i Putinit akuzon Ukrainën se po refuzon çdo lloj mundësie për bisedime për paqen, duke pretenduar se shteti fqinj nuk është në një situatë të lehtë në fushëbetejë.

Kjo vjen pasi presidenti rus konfirmoi se qeveria e tij po merr në konsideratë planet e paqes të vendeve afrikane. “Rusia i respekton dhe po i studion me kujdes iniciativat e propozuara nga ju”, konfirmoi Vladimir Putin gjatë një eventi me udhëheqës e politikanë të shumtë nga Afrika.

Propozim për paqen ka bërë edhe Kina, megjithatë nga Ukraina është pretenduar se pikat e paraqitura për të ndaluar luftën janë të njëanshme dhe në favor të Rusisë. Në fillim të konfliktit të armatosur, ka pasur disa takime për paqen mes delegacioneve të Kievit dhe Moskës, por nuk u arrit asgjë për të shmangur luftën. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka theksuar shpeshherë se konflikti me Rusinë përfundon me marrjen e kontrollit në të gjithë territorin e vendit, përfshirë dhe Krimenë e aneksuar.