Senatori demokrat i Nju Xhersit, Robert Menendez dhe bashkëshortja e tij Nadine janë paditur nga prokurorët për marrjen e qindra mijëra dollarëve ryshfet në formën e shufrave të arit dhe zarfeve me para nga disa biznesmenë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, pas një hetimi shumëvjeçar është provuar se senatori dhe gruaja e tij pranuan rryshfetin pasi kishin ndikuar në vendimi nga të cilat “përfitonte qeveria e Egjiptit”.

Dyshja përballet secili me tre akuza penale: “komplot për të marrë ryshfet, komplot për të kryer mashtrim me shërbimet dhe komplot për të kryer zhvatje nën mbrojtjen e së drejtave të një zyrtari”.

Prokurorët pretendojnë se Menendez dhe gruaja e tij Nadine kanë marrë ryshfet në para cash, ar, pagesa për një hipotekë shtëpie dhe një automjet luksoz nga tre biznesmenë në Nju Xhersi, të identifikuar si Ëael Hana, Jose Uribe dhe Fred Daibes.

Sipas aktakuzës ata e bënë këtë në këmbim të përdorimit të ndikimit dhe pushtetit të Menendez si senator për të mbrojtur tre biznesmenët dhe për “përfitime nga ana e Republikës së Egjiptit”.

Agjentët federalë ekzekutuan urdhra kontrolli në shtëpinë e Menendez dhe gjetën prova të marrëveshjeve për përfitim ryshfeti. Ata po ashtu gjetën mbi 480,000 dollarë, shumica e të cilave të futura në zarfe dhe të fshehura në veshje, dollapë dhe një kasafortë.

Agjentët thanë se gjetën gjithashtu një automjet luksoz të paguar nga Uribe për llogari të Menendez, e që ishte e parkuar në garazh, si dhe 100,000 dollarë lingota ari në shtëpi, fotografitë e të cilave janë përfshirë në aktakuzë.

Në aktakuzë, prokurorët pretendojnë se gruaja e Menendez ka punuar me një nga tre biznesmenët nga Nju Xhersi, më konkretisht zotin Hana, për ta prezantuar senatorin me inteligjencën dhe zyrtarët ushtarakë egjiptianë.

Hana, i cili është me origjinë nga Egjipti, ka shkëmbyer mijëra mesazhe me zonjën Menendez, të cilat ajo i fshiu nga celulari i saj nga frika e hetimeve.

Biznesmeni Hana dhe bashkëshortja e senatorit demokrat lidhën një “marrëveshje korruptive” në të cilën biznesmeni nga Nju Xhersi dorëzoi para, në mënyrë që Menendez të favorizonte qeverinë egjiptiane me shitjet e huaja ushtarake dhe financimin e huaj ushtarak.

Menendez mbante një pozicion drejtues në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit (“SFRC”), fillimisht si Anëtar i Rangut dhe më pas Kryetar, dhe për këtë arsye zotëronte ndikim mbi vendimet e Degës Ekzekutive për shitje e pajisjeve ushtarake, financimet ushtarake, dhe mbështetje të tjera në dobi të qeverisë së Egjiptit”, shkruan prokurorët në aktakuzën prej 39 faqesh.

Në një rast, prokurorët thonë se Menendez shkroi fshehurazi një letër në emër të qeverisë egjiptiane duke kërkuar të bindte senatorë të tjerë amerikanë që të aprovonin një fond ndihmash prej 300 milionë dollarë për Egjiptin.

Senatori 69-vjeçar aktualisht është kryetar i komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe u zgjodh për një mandat të tretë në Senat në vitin 2018.