Shqipëria u zgjodh së fundmi në komitetin për të drejtat e njeriut në OKB, dhe së fundmi Izraeli përmes diplomates së tij në Tiranë tregoi pritshmëritë e saj.

Por bomba mbi spitalin Al-Ahli në Gaza, ku qindra njerëz u masakruan e humbën jetën dhe mungesa e qartësisë për autorësinë, ka tronditur mbarë botën. Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e nisi reagimin e tij duke folur për ligjet dhe zakonet e luftës.

Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken. Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore.

Edi Rama, X.
Në një konflikt kaq të përgjakshëm me mijëra jetë civilësh të humbur, me ngjarjen e fundit besimi duket i thyer, teksa shfajësimi i kryeministrit të Izraelit i duket i pamjaftueshëm Edi Ramës.

Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë barbarët terroristë është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit.

Edi Rama, X
Për të qenë të qartë, Shqipëria prerazi është kundër Hamasit, por…

Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrëqethëse të gërmadhave të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit!

Edi Rama, X
Përfundimi është një tjetër “por” dhe një thirrje për botën demokratike.

Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës dhe e drejtësisë për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme dhe detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit.

Edi Rama, X