Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është shprehur në një mbledhje të kabinetit të mërkurën se Izraeli do të vendosë vetë sesi do t’u përgjigjet sulmeve të kryera nga Irani gjatë fundjavës.

Deklaratat, Netanyahu i bëri pas një mbledhjeje me ministrat e jashtëm të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë ditën e sotme si dhe pasi foli me kryeministrin britanik, Rishi Sunak të martën.

“I falënderoj miqtë tanë për mbështetjen e tyre dhe për mbrojtjen e Izraelit. Ata më dhanë po ashtu një sërë këshillash dhe sugjerimesh, të cilat i vlerësoj, por duhet ta bëj shumë të qartë: ne do t’i marrim vetë vendimet dhe se shteti i Izraelit do të bëjë çdo gjë që të jetë e nevojshme për të mbrojtur veten e tij,” deklaroi kryeministri izraelit.

Ndërsa, sa i përket situatës në Gaza, Netanyahu deklaroi se qeveria do të aprovojë një plan për rehabilitimin e vendbanimeve që rrethojnë Rripin me një kosto prej rreth 5 miliardë dollarësh.

“Ne do të investojmë në banesa, infrastrukturë, edukim, punësim, mjekësi dhe më shumë. Terroristët e Hamasit donin të na çrrënjosnin, por ne do t’i shkulim ata nga rrënjët,” shtoi Netanyahu.