Ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, kanë humbur një tjetër betejë me drejtësinë. Gjykata e Apelit u ka refuzuar kërkesën e tyre për të disatën herë, që kërkonin lirinë, nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” ku ndodhen.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga gjykatësja Iliriana Olldashi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 17.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 82 akti, datë 09.04.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 125, datë 12.03.2024 (disponuar mbi kërkesën me obj0ekt revokimi i masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi”) dhe vendimit nr. 166, datë 10.03.2024 (disponuar mbi kërkesën për përjashtim gjyqtari) të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 125, datë 12.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendim.

Prej 30 dhjetorit, Berisha ndodhet nën arrest shtëpie, nën hetim për korrupsion pasiv lidhur me privatizimin e Kompleksit Partizani. SPAK thotë se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore, kompleksi sportiv Partizani. Berisha i ka hedhur poshtë akuzat si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.