Rajoni Kherson i Ukrainës ka rënë plotësisht në duart e ushtrisë ruse. Pushtuesit kanë mbyllur çdo qasje me pjesën tjetër të territorit, madje kanë ndryshuar dhe orën zyrtare, duke vulosur kështu fitoren e tyre.

“Kemi kaluar në orën e Moskës dhe tani jetojmë sipas saj. Moska është qendra e kohës për rajonin Kherson”, njoftoi Kirill Stremousov, zëvendësshef i administratës ushtarakocivile të rajonit.

Sakaq në rajonin e Donbasit, ushtria e Vladimir Putin, vijon të fitojë terren me pushtimin e plotë të qytetit Lyman, që konsiderohet pikë strategjike, ndërsa bombarduan 49 vendbanime. Kjo duket se ka rikthyer oreksin e Moskës për të synuar sërish kryeqytetin ukrainas.

Sipas disa mediave lokale, Kremlini po vlerëson një sulm të dytë ushtarak kundër Kievit, pavarësisht se nuk mundi ta pushtonte në nisje të luftës. Presidenti Volodymyr Zelensky, premton se rajoni i Donbasit do të jetë sërish i Ukrainës, pasi akuzoi forcat pushtuese se po kërkojnë ta bëjnë shkrumb e hi.

Ai pranoi se situata atje është shumë e vështirë dhe kërkoi përforcimin e fuqisë mbrojtëse dhe të rezistencës në rajonin lindor. Ushtria e Kievit pretendon se ka vrarë 30 mijë trupa ruse që prej nisjes së luftës dhe shkatërruar mijëra pajisje luftarake të armikut. Sakaq bilanci i fëmijëve të vrarë në Ukrainë ka arritur në 242 dhe 440 të plagosur.

Marrë shkas nga ajo që ka ndodhur që prej 24 shkurtit, kisha ortodokse ukrainase, e mbështetur nga Moska, konfirmon se ka ndërprerë raportet me Rusinë.

“Nuk pajtohemi me qëndrimin e patriarkut Kirill për luftën”, thuhet në një njoftim. Ndërkohë, sulmet ruse kanë vijuar edhe në veri në rajonin Sumy. Aty raportohet se bombardimet vijuan për 4 orë pa pushim. Autoritetet e Kievit kanë vijuar akuzat ndaj forcave ruse për dëme ekonomike, ku theksohet se pas grurit, ata po vjedhin dhe çelikun nga Ukraina.