Një 36-vjeçare, e cila prezantohej si administratore e një banke, është arrestuar me akuzën për mashtrim.

Policia e Tiranës, thotë se në kuadër të operacionit të koduar “Interesat”, ka rënë në pranga shtetësja V.G., 36 vjeçe si dhe është shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkëpunëtor i saj, S.K.

Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë përvetësuar shumën 1.600.000 lekë të rinj, nga një qytetar që kishte depozita në një bankë të nivelit të dytë, duke e mashtruar atë me faktin se ishte përzgjedhur si fitues i bankës dhe për rrjedhojë do të përfitonte interesa më të larta për depozitat si klient.

Vijon puna, në bashkëpunim me Prokurorinë, për evidentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që kanë kryer këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.