Gjykata e Apelit të Posaçëm Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm shtetasin grek, Eftimio Eftimiu.

Ish-komandoja i forcave ushtarake të vendit fqinj, u shpall fajtor për vrasjen e Devi Kasmit, ngjarje e ndodhur më 9 janar të vitit 2018.

Dënimi përputhet edhe me pretencën e SPAK-ut, i cili kërkoi dënimin me burg përjetë, për Eftimiun.

Gjithashtu togat e zeza të Apelit të GJKKO-së, dënuan me 33 vite burg të pandehurin tjetër, Elton Halipajn, i cili dyshohet se është personi që  i siguroi grekut mjetet për të kryer vrasjen.

Sipas dosjes së prokurorisë, Aurel Hoxhallari, Eftimius Eftimiu dhe Elton Halipaj, kanë vepruar në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, për të përgatitur dhe kryer vrasjen e Devi Kasmit.

Prokuroria u shpreh se plani është përgatitur disa muaj para se të realizohet krimi, ndërsa Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet se është porositësi, njihej me Eftimiun prej vitesh.

Vendimi ndaj dy të pandehurve u dha pas provave dhe dëshmive të dy personave të cilët kanë qenë dëshmitarë okularë të vrasjes.

Devi Kasmi u ekzekutua mbrëmjen e 29 janarit 2018 pranë shtëpisë së tij në Tiranë në rrugën “Kongresi Manastirit”.

Ai u qëllua disa herë me pistoletë në kokë dhe trup, ndërkohë që vrasja ndodhi për prishje të pazareve të kokainës në Francë dhe Spanjë.

Edhe gjatë kontrollit të banesës së Kasmit u gjetën 3 kilogramë kokainë, 300 gramë drogë LSD dhe një armë automatike.