Një ditë pas vrasjes së ndodhur dje në Vlorë, ku humbi jetën 31-vjeçari Tauland Gjikaj, policia ka kyer kontrolle në disa banesa dhe ka shoqëruar në komisariat 12 persona.

Ditën e djeshme, Policia e Vlorës arrestoi një nga autorët e dyshuar të vrasjes së të riut, shtetasin Hans (Andi) Jonuzaj, 44 vjeç.

Ai u kap në momentin që po tentonte të largohej me makinën e tij tip “Ford”, brenda së cilës u gjet edhe një armë zjarri kallashnikov.

Burime bëjnë me dije se ai fillimisht nuk ka pranuar krimin, duke thënë se nuk ka lidhje me ngjarjen, por pamjet filmike, gjurmët e gjetura në vendin e ngjarjes, si dhe arrestimi i tij në po të njëjtin mjet që ka ndodhur vrasja, kanë qënë të pakundërshtueshme për policinë, e cila ka bërë arrestimin e tij.

Policia e Vlorës ka identifikuar edhe dy persona të tjerë që kanë qenë pjesë e atentatit dhe i ka shpallur në kërkim.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së mërkurës në rrugën “Transballkanike” në Vlorë, ku është qëlluar për vdekje 31-vjeçari Gjikaj.

Viktima ishte person me precedent penal i përfshirë në disa ngjarje kriminale dhe pista e parë që po hetohet, lidhet me larjen e hesapeve mes bandave për hakmarrje ose prishje pazaresh.

Ai  përdorte disa identitete, njihej edhe si Tauland Beqiraj dhe Taulant Manaj.

Vrasja e të riut afër Gjykatës së Apelit në Vlorë, është filmuar nga një kamera sigurie. Nga ajo çfarë shihet në pamje, viktima duket se njihej me autorët, sepse ai është ndalur dhe pret të takohet me ta, por pa ditur qëllimin e tyre.

Sipas policisë, 31-vjeçarit i është gjetur një pistoletë që e mbante me vete, pa mundur ta përdorë gjatë momentit të ekzekutimit.