Mjeku Ilir Alimehmeti  publikoi studimin e fundit rreth panikut të madh u ngrit muajt e kaluar dhe vazhdon edhe sot mbi variantet e reja që mund t’i shpëtojnë pjesërisht antitrupave të prodhuar nga vaksinimi apo infeksioni natyror.

“Mos të harrojmë që imuniteti i njeriut është një proces i ngritur në bazën e milionave vite evolucion dhe fakti që ne mund ta “harrojmë” këtë element nuk do të thotë që ai gjithsesi nuk vepron”, the mjeku Alimehmeti.

“Shkencëtarët e Insitutit La Jolla të Imunologjisë në Kaliforni (SHBA) studiuan pikërisht nëse këto variante të reja kishin aftësi t’u shpëtonin limfociteve T, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për të reduktuar gravitetin e sëmundjeve infektive”, nëvizoi mjeku në studimin që bëri publik sot në profilin e  tij Faebook:

Publikimi i Ilir Alimehmetit:

“Të gjitha të vërtetat janë të lehta për t’u kuptuar pasi zbulohen; çështja është t’i zbulosh ato.”

Cit.: Galileo Galilei

Lajme të mira kundër varianteve të reja të SARS-CoV-2 miqtë e mi!

Një panik i madh u ngrit muajt e kaluar dhe vazhdon edhe sot mbi variantet e reja që mund t’i shpëtojnë pjesërisht antitrupave të prodhuar nga vaksinimi apo infeksioni natyror.

Në vazhdën e panikut rridhte natyrshëm druajtja se vaksinat do të ishin më pak efektive kundër këtyre varianteve të reja.

Por, siç e kemi përmendur vazhdimisht, imuniteti nuk përmblidhet vetëm në praninë dhe funksionin e antitrupave, por përfshin edhe përgjigjen qelizore që, duke qenë se është më e vështirë për t’u matur laboratorikisht, duket se është “harruar” nga retorika mediatike dhe “shkencore”.

Mos të harrojmë që imuniteti i njeriut është një proces i ngritur në bazën e milionave vite evolucion dhe fakti që ne mund ta “harrojmë” këtë element nuk do të thotë që ai gjithsesi nuk vepron.

Shkencëtarët e Insitutit La Jolla të Imunologjisë në Kaliforni (SHBA) studiuan pikërisht nëse këto variante të reja kishin aftësi t’u shpëtonin limfociteve T, të cilat janë veçanërisht të rëndësishme për të reduktuar gravitetin e sëmundjeve infektive.

Skuadra kërkimore studiuan limfocitet te vullnetarët që:

kishin kaluar infeksionin në mënyrë natyrore, ose

ishin vaksinuar me vaksina mARN (Moderna / Pfizer).

Variantet e studiuara të SARS-CoV-2 ishin:

varianti origjinal i Wuhanit (referenca), me të cilin u krahasuan:

varianti Britanik (B.1.1.7)

varianti Afrikano Jugor (B.1.351)

varianti Brazilian (P.1), dhe

varianti Kalifornian (CAL.20C).

Rezultatet:

Variantet e reja nuk arrijnë t’i shpëtojnë dot limfociteve T!

Shumica e limfociteve T i njihte që të katërta variantet e reja falë disa fragmenteve proteinike që mbesin të pandryshuara.

Autorët dalin në përfundimin se:

Rezultatet tregojnë se përgjigja e limfociteve CD4+ dhe CD8+ te personat që e kanë kaluar infeksionin dhe te personat e vaksinuar me vaksina mARN nuk ndikohet nga mutacionet e katër varianteve të reja të SARS-CoV-2.

Prandaj miqtë e mi, përkundrejt panikut mediatiko-pseudoshkencor duhet të vëmë përballë gjithmonë evidencat.

Ndërkohë, për sa  kohë vaksina nuk është gjerësisht e pranishme, ruajmë masat e sigurisë personale por pa i shtuar panik të panevojshëm situatës tashmë të ngarkuar.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT