Drejtori i Urgjencës kombëtare, Skendër Brataj dhe epidemiologu Ilir Alimehmeti, janë të një mendjeje sa i takon vaksinës ruse Sputnik V dhe asaj kineze SinoVac, duke vlerësuar se ato janë të efektshme dhe duhet të nisin të përdoren në Shqipëri sa më parë.

Brataj thotë se shumë vende të tjera i kanë përdorur para nesh duke provuar se këto vaksina janë efektive dhe nuk kanë efekte anësore më shumë se vaksinat e tjera.

Brataj pohon se fillimisht pati një hezitim ndaj këtyre vaksinave pasi as EMA në Europë dhe as FDA në SHBA nuk i kishin certifikuar. Por sot gjërat po ndryshojnë dhe me ato vaksina janë infektuar miliona doza që kanë treguar efektivitet për mbrojtje kundër COVID-19.

“Duke parë hezitimin nga EMA dhe FDA për mbështetjen e këtyre vaksinave dhe duke parë me miliona doza që janë bërë deri tani dhe që kanë treguar efikasitetin në një përqindje shumë të lartë, jemi të gatshëm ti sjellim edhe në vendin tonë”, tha Brataj.

Edhe për efektet anësore ai tha se Sputnik V dhe SinoVac nuk kanë pasur më shumë efekte anësore në raport me vaksinat e tjera.

“Komiteti që merret me studimin e vaksinave dhe të dhënat ranë dakord në parim se vaksina kineze dhe ajo ruse mund të përdoren“, tha Brataj.

Edhe për epidemiologun Ilir Alimehmeti Shqipëria nuk duhet të humbasë më shumë kohë dhe duhet të marrë sa më shpejt këto vaksina për përdorim.

“Shumë prej tyre janë bërë edhe në shtete shumë pranë nesh dhe ne kemi dhe informacione më të bollshme. Nuk bën më sens që të ngelemi mbrapa dhe nuk duhet të humbim më shumë kohë“, tha Alimehmeti.

Gjatë ditës së djeshme qeveria ka miratuar një Akt Normativ me atë të të cilit i hap rrugë negocimit të shtetit tonë me kompani të tjera për siguruar vaksinën anti-COVID edhe nga shtetet që janë jashtë BE-së, konkretisht Rusia dhe Kina të cilat prodhojnë vaksina anti-COVID.