Me 1 vit burg është dënuar një shqiptar në Angli, i cili u kap në një fermë kanabisi.

Ai është 21-vjeçari Elvis Keta, që menaxhonte një magazinë kanabisi me vlerë 27 mijë paund.

“Përhapni mesazhin se nëse vini në Mbretërinë e Bashkuar dhe bëni vepra penale do të futeni në burg. Nuk ka pasuri për t’u gjetur këtu për njerëzit që kryejnë krime”, tha Jonathan Rose, gjyqatar i çështjes.

Sa i përket shqiptarit, ai u arrestua më 14 tetor të vitit të kaluar, ku u tha oficerëve të policië se ai nuk ishte pronar i fermës.

Ai ishte i vetëm në banesë, kishte 50 paund në xhep dhe pasaportën e tij. Në të gjitha dhomat, përveç asaj të ndenjes kishte rreth 55 bimë kanabisi.

Keta, i cili u shpall fajtor për prodhimin e kanabisit, i tha policisë se ishte detyruar të punonte në fabrikë nga një grup burrash që takoi në Gjermani.

“Çdo ëndërr që ai kishte për një jetë më të mirë në këtë vend dhe për të qenë në gjendje të ndihmonte prindërit e tij në shtëpi, janë kthyer në një makth”, tha avokati i Ketës.