Donald Trump është i bindur se republikanët do të rimarrin në dorë kongresin, senatin dhe Shtëpinë e Bardhë. Në një darkë me zyrtarë dhe financues, ku secili ka paguar më shumë se 100 mijë dollarë për të qenë aty, ai tha se do të mjaftonte vetëm kriza e emigrantëve që amerikanët të zgjedhin republikanët.

“Jam këtu sonte, me shumë besim se në 2022-shin do të rimarrim në dorë, kongresin , senatin dhe në 2024-ën një kandidat republikan do të fitojë Shtëpinë e Bardhë”.

Gjatë darkës Trump kritikoi Joe Biden. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve ish presidenti tha se liderët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë një agjendë jo popullore, dhe për këtë arsye ai është presidenti i parë i historisë moderne që nuk i është  drejtuar kongresit të mbledhur në javët e tij të para në Shtëpinë e Bardhë. Trump më pas shtoi se mbërritja e të paligjshmëve në kufirin me Meksikën, është në nivelin më të lartë që nga 2006. Sipas tij vetëm tema e emigracionit do të mjaftonte që republikanët të fitojnë Kongresin, Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë.