AFP_8WW9L6.jpg

“Askush nuk është i sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt”, është motoja përcaktuese e epokës së Covid-19. Dhe ajo rrok një të vërtetë themelore. Përballë një virusi që nuk njeh kufij, asnjë vend nuk është një ishull, dhe nuk ka asnjë zëvendësues për solidaritetin ndërkombëtar.

Takimi i G7-ës në Mbretërinë e Bashkuar në muajin qershor, u jep udhëheqësve politikë të vendeve më të pasura të botës një mundësi shumë të mirë për ta treguar këtë solidaritet.

Ata duhet ta shfrytëzojnë atë duke rënë dakord mbi një plan financiar të veprimit, për të mbështetur betejën e njerëzimit kundër Covid-19, dhe garantuar më në fund një qasje të barabartë tek vaksinat kundër koronavirusit.

Zhvillimi i vaksinave të sigurta dhe efektive anti-Covid, ishte padyshim një triumf i shkencës. Partneritetet e reja që përfshijnë qeveritë, bizneset, filantropët dhe institucionet shumëpalëshe testuan, shpërndanë dhe nisën në një kohë rekord administrimin e vaksinave.

“Access to COVID-19 Tools Accelerator”(ACT-A), një partneritet i veçantë midis Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të tjerëve, siguron një kornizë shumëpalëshe për bashkëpunim mbi diagnozën, trajtimin, dhe vaksinat. Nisma COVAX, një nga shtyllat kryesore të këtij partneriteti, ka shpërndarë deri tani në total 40 milion doza në mbi 100 vende.

Por pavarësisht këtyre arritjeve, pabarazia e vaksinave po zgjerohet nga dita në ditë. Me vetëm 16 për qind të popullsisë së botës, vendet me të ardhura të larta zënë mbi gjysmën e porosive të konfirmuara, ose rreth 4.6 miliardë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar disa herë popullatat e tyre.

Ndërkohë edhe pse kanë dyfishin e përqindjes së popullsisë, vendet më të varfra dhe ato në zhvillim kanë vetëm gjysmën e numrit të vaksinave që janë në dispozicion. Furnizimet aktuale në Afrikën Subsahariane, mbulojnë më pak se 1 për qind të popullsisë.

Ndërsa vendet e pasura po imunizojnë grupmosha të reja dhe më të shëndetshme të popullsisë, punëtorët shëndetësorë në Mozambik, Nepal dhe Bolivi po e luftojnë pandeminë pa pasur mbrojtje, teksa po humbasin shumë jetë. Ky hendek ka nxjerrë në pah një padrejtësi të madhe.

Ndërsa vendet e G7 janë në rrugën e duhur për të arritur vaksinimin e 70 për qind të popullatës deri në fund të këtij viti, me ritmet aktuale disa nga vendet më të varfra nuk do të arrijnë dot këtë nivel përpara vitit 2024.

Dhe kjo na kujton përgjigjen fillestare ndaj krizës së shkaktuar nga HIV/AIDS, kur Afrika dhe rajone të tjera në zhvillim, u lanë në fund të radhës për ilaçet antiretrovirale , të cilat ishin gjerësisht të disponueshme në vendet e pasura. Dhe ajo vonesë u kushtoi jetën 12 milion njerëzve.

Lënia pas dore e të varfërve në botë në garën për t’u vaksinuar kundër Covid-19, është një dështim i rëndë moral. Ajo është gjithashtu një akt vetë-dëmtues. Pasi në kushtet kur koronavirusi do të vazhdojë të përhapet dhe të pësojë mutacione në të gjithë popullatat e pa imunizuara, ai do të përbëjë një kërcënim për shëndetin publik për njerëzit kudo në botë, përfshirë edhe ata në vendet më të pasura.

Për më tepër, problemet e shkaktuara në tregti, si pasojë e niveleve të ulëta të imunizimit në vendet në zhvillim, mund t’i kushtojnë ekonomisë botërore 9.2 trilionë dollarë, me ekonomitë më të përparuara që do të zënë gjysmën e këtyre humbjeve.

Pra ka arsye të forta epidemiologjike dhe ekonomike, që kërkojnë një veprim urgjent kolektiv për të arritur qasjen e barabartë tek vaksina. Sa më me vendosmëri të veprojmë si një komunitet i vetëm njerëzor, aq më shumë jetë do të shpëtohen, dhe aq më shpejt do të rimëkëmben ekonomitë  kombëtare.

Sfida është të sigurohen vaksina të mjaftueshme dhe financiarisht të përballueshme për të gjitha vendet e botës. Dhe ne nuk mund ta përballojmë këtë sfidë vetëm përmes dhurimeve vullnetare, marrëveshjeve dypalëshe jashtë COVAX, apo nacionalizmit të shfrenuar të vaksinave, që e ka shoqëruar deri tani përgjigjen e vendeve të pasura.

Ky është momenti kur kërkohen veprime të guximshme. Vendet e G7 duhet të shtojnë me urgjencë mbështetjen e tyre për ACT-A, teksa duhet të mbështesin edhe përpjekjet për të garantuar prodhimin e vaksinave në vendet në zhvillim.

Që të ndërtojmë një mbrojtje efektive globale kundër Covid-19 dhe kërcënimeve të pandemisë në të ardhmen, ne kemi nevojë për një ndarje të barabartë të vaksinave, si dhepër një shkëmbim të hapur të njohurive, informacionit dhe teknologjisë së nevojshme përtë zhvilluar aftësi komplekse prodhuese atje ku ato janë të nevojshme.

Heqja dorë nga të drejtat e pronësisë intelektuale derisa të marrë fund pandemia, do të ndihmonte në lehtësimin e ndarjes së drejtë të vaksinave, në shtimin e prodhimit dhe uljen e çmimeve të tyre. Udhëheqësit politikë të G7-ës, duhet të bien dakord për të financuar një plan global, që të synojë dërgimin e sa më shumë vaksinave në të gjitha vendet e botës deri në fund të këtij viti, në mënyrë që procesi i imunizimit të përfundojë deri në fundin e vitit të ardhshëm.

Një angazhim i G7-ës me një fond prej rreth 30 miliardë dollarë në vit për 2 vitet e ardhshme, i plotësuar me masa më të gjera për të mbështetur prodhimin e vaksinave në çdo vend që e kërkon, do ta garantonte arritjen e këtij synimi.

Por a mund të përballojnë vendet e G7 planin që ne propozojmë? Financimi i kërkuar është afërsisht i barabartë me atë që ekonomitë e G7-ës humbin çdo 2 javë për shkak të pengesave në tregtinë globale, të cilat kanë ardhur si pasojë e qasjes së kufizuar tek vaksinat.

Për më tepër, vaksinimi i drejtë do të sjellë përfitime të mëdha. Fondi Monetar Ndërkombëtar, vlerëson se ekonomitë e përparuara duhet të fitojnë mbi 1 trilion dollarë të ardhura shtesë nga rimëkëmbja ekonomike që do të sjellë vaksinimi i përshpejtuar global, pra një kthim prej 16 dollarësh për çdo 1 dollarë të investuar.

Sigurisht, financat janë vetëm një pjesë e ekuacionit. Rëndësi të madhe ka edhe qeverisja.

Ne duhet të sigurojmë që të gjitha qeveritë – por edhe shoqëria civile – të kenë një zë në formësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Asambleja Botërore e Shëndetësisë, siguron një platformë shumëpalëshe për atë zë, dhe ajo ka një rol kryesor për të luajtur në arritjen e barazisë së vaksinave.

Sikurse i paralajmëroi dikur Benxhamin Franklin autorët e Deklaratës së Pavarësisë së Amerikës, rreth rrezikut të ndarjes përballë një armiku të fuqishëm. “Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar, ose me siguri do të na varin që të gjithëve veç e veç!”. Përballë kësaj pandemie vdekjeprurëse, udhëheqësit e G7-ës duhet të tregojnë tani një solidaritet global. Siguria e qytetarëve të tyre por dhe shpresat e botës, varen prej saj.