Afera e shitblerjes së votave në Shqipëri po zgjerohet edhe me vende jashtë saj, pasi një shtetas nga Turqia rezulton i përfshirë në këtë skemë manipulimi zgjedhor.

Noa.al mësoi sot se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, proceduan penalisht shtetasin turk A. B., 23 vjeç, banues në Vlorë dhe shtetasin J. M., 24 vjeç, banues në Vlorë.

Policia e Vlorës ka bërë të ditur se ka nisur procedim penal ndaj dy personave, pasi akuzohen për “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”.

Bëhet e ditur se procedimi ka nisur ndaj shtetasit turk Abdulgafur Balikci, si dhe ndaj shtetasit Jorisild Muçaj.

Abdulgafur Balikci

Shtetasi J. M. dyshohet se në kohë të ndryshme ka marrë një shumë lekësh nga shtetasi A. B., për sigurimin e disa emrave personash të njohur prej tij për dhënie vote në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.

Nuk është ende e qartë se për cilën parti politike ka qenë i angazhuar shtetasi turk Abdulgafur Balikçi në blerjen e votave kundrejt favore financiare.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe Prokurorisë së Posaçme SPAK Tiranë, për veprime të mëtejshme.