Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i cili aktualisht është ambasador në Republikën e Kirgistani është nominuar për një post të rëndësishëm, si ndihmës sekretari i Shtetit për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore. Lajmi është njoftuar nga Departamenti i Shtetit përmes një njoftimi.

Nominimi është bërë nga presidenti amerikan Joe Biden. Pozicioni i rëndësishëm në Departamentin e Shtetit të SHBA, që është përgjegjës për politikën e jashtme amerikane dhe marrëdhëniet me të gjithë Azinë Jugore dhe Qendrore, ka qenë vakant që nga fillimi i administratës së mëparshme të Trump. Emërimi i Lu për këtë pozicion erdhi së bashku me disa njoftime të tjera të bëra nga Shtëpia e Bardhë të premten.

Lu është anëtar i karrierës në shërbimin e jashtëm. Ai ka shërbyer si ambasador në Republikën Kirgistan që nga viti 2018, pasi i përfundoi mandati në Shqipëri.

Gjatë karrierës së tij Lu ka pasur poste në Indi, Azerbajxhan, Gjeorgji dhe Pakistan. I lexon dhe flet shqip, rusisht, azerbajxhanisht, gjeorgjisht, hindisht dhe urdu.

Me postin e ri ai do të ketë një rol kryesor në formësimin e politikës së SHBA për një portofol që përmban Afganistanin, Indinë dhe Pakistanin, ndër të tjera.