Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi në konferencën e sotme të zhvilluar sëbashku me kryeministrin Edi Rama në Rinas, deklaroi se Bashkimi Europian e ka mbështetur dhe do të vijojë të jetë në mbështetje të Shqipërisë për të përballuar pandeminë.

Ai gjithashtu foli për procesin e zgjedhjeve të 25 prillit për të cilën theksoi se e ka ndjekur me shumë kujdes dhe se sipas tij fushata zgjedhore ka qenë e zjarrtë, ndërsa theksoi se pa një Parlament të plotë rruga drejt Bashkimit Europian do të jetë e vështirë.

“Në Shqipëri ne kemi një ambasador shumë të mirë në Shqipëri dhe kemi qenë në kontakte edhe për procesin e zgjedhjeve. Rezultatin e kam ndjekur nga afër, dhe pas një fushate zgjedhore të zjarrtë, ne dëshirojmë të shikojmë të gjitha parregullsitë qoftë edhe blerjen e mundshme të votave. Pra pas rezultateve përfundimtare do të na duhet që Kuvendi të fillojë nga puna për rrugëtim drejt BE. Pa një parlament të plotë rruga drejte-së do të jetë e vështirë”, tha ai.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama tha se tashmë Partia Socialiste do ta braktisë “llogoren” e vjetër ku ka qenë e përfshirë politika, pasi sipas tij Shqipëria është në një moment të rëndësishëm dhe me më shumë potencial për të bërë ndryshimin në vend.

“Dua të përsëris që bindja dhe vullneti im është që mandati i tretë të mos i ngjajë dy të parëve në aspektin e luftës së brendshme politike. PS do ta braktisë llogoren e asaj lufte të vjetër banale, të panevojshme për vendim dhe ne do të fokusohemi plotësisht tek punët e mëdha për të cilët jemi votuar.

Po ashtu do ta mbajmë dorën e shtrirë pa asnjë ndërprerje për opozitën. PD është mirëpritur të kthehet me këmbë në tokë, për të hapur një proces diskutimi pa asnjë kusht, për të shtyrë sa më shumë përpara punët dhe patjetër edhe integrimin Europian të Shqipërisë.  Nuk kam asgjë për të shtuar dhe besoj me ndihmën tuaj do të jem edhe unë të qëndroj larg nga polemikat e lodhshme e të vjetra. Shqipëria është në një moment me kaq shumë potencial për të kaluar në një nivel tjetër”, tha Rama.

Gjithashtu gjatë kësaj konference, Komisioneri për Zgjerim tha se për Europën, Ballkani Perëndimor është i rëndësishëm, ndërsa theksoi se BE e ka ndihmuar Shqipërinë që nga fillimi i pandemisë dhe se mbërritja e 145 mijë doza të vaksinës Pfizer janë të financuara 100% nga BE.

“Sot është ditë e mrekullueshme për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Jam vërtet i kënaqur që kemi arritur në fundin e këtij procesi që më ka sjellë këtu me dorëzimin e vaksinave. Mendoj se po vijmë në një moment kyç ku ne tashmë duhet të fillojmë të dalim nga kjo pandemi dhe për daljen nga kjo pandemi ne duhet të promovojmë vaksinat.

Për ne Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm. Shqipëria do të marrë 145 mijë doza të vaksinës Pfizer që janë tërësisht 100 % të financuara nga Bashkimi Europian.

Këto janë një dhuratë nëse mund të shprehem kështu për t’ju treguar që ju keni rëndësi për ne. Po ashtu dua të them se ne nuk do të kishim mundur ta bënin këtë gjë, pa qeverinë austriake të cilët kanë qenë shumë të rëndësishëm në këtë proces. Do të falënderoja qeverinë austriake të cilët kanë bërë të pamundur që kjo gjë të bëhet realitet.

Mendoj që ky lloj bashkëpunimi tregon vlerën e skuadrës evropiane. Ndoshta ju mbani mend që ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që në fillimin e pandemisë, me maska, resperatore, ambulanca, apo ndihmë financiare ekonomike e tashmë po sjellim dozat e para të vaksinimit. Ne tregojmë që jemi të interesuar tek siguria dhe shëndeti i plotë i qytetarëve”, tha ai.