UEFA vazhdon të mendohet në lidhje me dënimin e mundshëm të tre klubeve, që janë nede pjesë e projektit të Superligës Europiane, teksa prej javësh është hapur një hetim. Sot Javier Tebas, kreu i La Liga ka folur rreth dënimit të mundshëm të Barcelonas, Real Madrid dhe Juventus.

Ai shprehet se Champions League mund të vazhdojë normalisht pa këta tre klube, ashtu siç ka bërë me të tjerë të mëdhenj në të shkuarën. Tebas shton se La Liga nuk do e mbrojë Barcelonën dhe Real Madrid në rast se UEFA i dënon.

“Unë mendoj se Champions League është e gatshme të vazhdojë pa Barcelonan, Juventusin dhe Real Madridin. Champions ka vazhduar të jetojë normalisht pa Manchester United për 5 vite me radhë (kur klubet angleze u dënuan).

Milani gjithashtu u përjashtua nga konkurrenca europiane dhe gara ka vazhduar më tej. Këta tre klube nuk janë thelbësorë në Europë. Sigurisht që ne do donim që ata të ishin në Champions League, por faktet tregojnë se UEFA duhet të veprojë.

La Liga nuk do të mbrojë asnjë klub të dënuar nga UEFA. Nëse UEFA ka argumentet e duhura për t’i dënuar, La Liga s’do të thotë asgjë. Ne do mbrojmë shumicën e klubeve tona, jo një apo dy”, u shpreh Tebas.