Kryeministri Rama e gjen “fajin” te punët e brendshme të Bashkimit Europian që Shqipëria nuk po avancon me procesin integrues.

Në konferencë me ministrin gjerman për Europën, Michael Roth, kreu i Qeverisë tha se një tjetër problem ka dalë në horizont, ngërçi mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

“Konferenca e parë ndërqeveritare është çështje e brendshme e Këshillit Europian, në një moment kur duket se ka një prirje më pozitive se asnjëherë tjetër, të brendshme, BE ndeshet me një surprizë të radhës nga bota ballkanike dhe përreth, që lidhet me ngërçin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Nuk mundem veçse të përsërisja të njëjtën gjë që ne duhet të hapim menjëherë procesin dhe BE duhet të zbatojë vendimin që ka marrë, duke miratuar kornizën negociuese”, tha Rama.

Duke e konsideruar Ballkanin Perëndimor si oborrin e brendshëm të Europës, ministri Roth tha se ka ardhur koha për të ecur përpara me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.