Nga Emanuel Pietrobon, Il Giornale

Rikthimi i Partisë Demokratike në Shtëpinë e Bardhë, përfaqësuar nga Joe Biden, nënkuptonte një rikthim të armiqësive midis bllokut euro-amerikan dhe botës ruse në nivelet menjëherë pas ngjarjeve të Euromaidanit në Ukrainë.

Nga ringjallja e mënyrave të veprimit të kohës së Luftës së Ftohtë, deri tek zbatimi i sanksioneve anti-viruse shumë të forta, në sfondin e një thellimi të tensioneve në Donbas dhe në teatrin e betejës në Evropë – kjo e fundit e mbështjellë me një klimë rusofobie që të kujton epokën Makartiane – antagonizmi i hapur dhe luftarak, po e çon gradualisht në një nivel të ri Luftën e Ftohtë 2.0.

Se si do të përfundojë kjo fazë tranzitore nuk dihet. Por koha është e parashikueshme me një siguri absolute:gjatë takimit dypalësh midis Biden dhe Vladimir Putin, ngjarja më e shumëpritur e këtij viti, që do të përcaktojë hyrjen zyrtare në një fazë të re në duelin midis 2 hegjemonëve, dhe në një konkurrencë të zgjeruar midis fuqive të mëdha.

Takimi dypalësh Putin-Biden, do të jetë ngjarja e vitit për një arsye shumë të thjeshtë. Kanë kaluar 3 vjet që kur ka pasur një samit zyrtar midis banorëve të Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë –  i fundit ishte në Helsinki në vitin 2018 – dhe është koha e duhur që të ndodhë sërish.

Për shkak se armiqësia e ndërsjellë midis dy fuqive nuk ishte kaq e lartë që nga koha e post-Euromaidanit, kjo e bëri më shumë se sa të nevojshme, madje të domosdoshme, organizimin e një takim që i lejon ata të vendosin publikisht vija të kuqe – të përmendura nga Putin gjatë fjalimit vjetor para Asamblesë Federale – dhe për të gjetur fushat ku mund të bashkëpunohet, si ndryshimi i klimës dhe gara e armëve.

Koha dhe vendi i takimit ishin të mbuluara me mister deri në pasditen e 25 majit, kur Shtëpia e Bardhë zyrtarizoi datën, 16 qershorin, dhe vendin, në Gjenevë të Zvicrës të takimit shumë të rëndësishëm. Një zgjedhje që nuk ishte aspak e papritur, dhe në përputhje me indikacionet e mëparshme të dhëna nga administrata e Biden dhe presidenca e Putinit.

Arsyeja pse Putini dhe Biden do të takohen në Gjenevë më 16 qershor, ka të bëjë edhe me faktin se është një datë dhe vendndodhje veçanërisht komode për shefin e Shtëpisë së Bardhë, që do të jetë në Gjirin Karbis (të Britanisë së Madhe) në datat 11-13 qershor për takimin e G7, dhe më 14 qershor në Bruksel për samitin e NATO-s.

Më 12 maj, gjatë një bisede telefonike që ishte pjesë e procesit të organizimit të takimit Putin-Biden, ministrat e jashtëm Sergey Lavrov dhe Antony Blinken, ranë dakord të takoheshin në kuadër të samitit të ardhshëm ministror të Këshillit të Arktikut, të planifikuar për në Rejkjavik të Islandës më datën 20 maj.

Natyra dypalëshe dhe joformale e atij takimi, do të ishte pararendëse e takimit të shumëpritur Biden-Putin, dhe i dha mundësi palëve që të parashikojnë përmbajtjen  e çështjeve që duan të diskutojnë krerët e 2 shteteve të mëdha.

Biden propozoi në fillim që samiti të mbahej në një vend të tretë të pranueshëm nga të dyja palët. Dhe për këtë samit u ofruan 4 vende:Austria , që mburret se ka pritur negociatat për zgjatjen e Traktatit NEW START; Zvicra , vendi neutral ku u zhvillua takimi historik midis Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev në vitin 1985, si pjesë e diskutimeve për kontrollin e armëve bërthamore dhe që përshpejtoi fundin e Luftës së Ftohtë; Finlanda, kryeqyteti i së cilës, Helsinki, ka pritur 3 takime historike në vitet 1975, 1997 dhe 2018; dhe Republika Çeke, vendi ku ndodhi nënshkrimi i Traktatit NEW START, dhe presidenti i të cilës, Milos Zeman, e mbështet një afrim midis blloqeve.

Po cilat do të jenë temat e mundshme të këtij takimi? Nuk mund të përjashtohet apriori që administrata e Biden po planifikon të provojë të luajë lojën më të paimagjinueshme, përkatësisht lojën me “kartën Kissinger”, një afrim më Rusinë, në dëm të aleancës Rusi-Kinë.

Gjithsesi, palët do të kenë mundësi të diskutojnë çështjet më të nxehta dhe më urgjente të botës bashkëkohore, si dhe mbi çështje ku kanë më shumë divergjenca – mbi Donbasin, Detin e Zi, Mesdhe, Arktik, Bjellorusi, por edhe mbi fusha ku mund të bashkëpunohet nga nevoja apo prania e vizioneve dhe interesave të përbashkëta, sidomos mbi garën e armatimeve, ndryshimi i klimës dhe pandemia.

Për më tepër, që të dyja vendet  janë të interesuara që të punojnë për të rivendosur parashikueshmërinë e sjelljes dhe stabilitetin strategjik, duke e ditur që një takimi i vetëm Biden-Putin nuk do të jetë i mjaftueshëm për të zbutur çdo lloj mosmarrëveshje, apo për të zvogëluar në mënyrë drastike dhe të menjëhershme tensionin e grumbulluar gjatë viteve të fundit.

Takimi do të shërbejë për të riafirmuar vijat e kuqe përkatëse, të cilat kanë qenë gjithmonë të njohura, por janë harruar dhe shkelur prej kohësh, si dhe për të provuar një lloj disiplinimi

të përplasjes hegjemonike, të cilën presidenca e Biden do ta dëshironte të zhvillohej sipas rregullave të dakordësuara, funksionale për të parandaluar krizat e mëdha që mund të dalin nga kontrolli i dy fuqive, dhe që mund të rrezikojnë ta transformojnë luftën e ftohtë në një luftë të nxehtë.