Eitan, vogëlushi 5 vjeçar që mbijetoi në tragjedinë e para pak ditëve në teleferik, ka dalë nga koma dhe ka nisur të reagojë.

Fëmija 5-vjeçar, u zgjua dje plotësisht, mori frymë vetë dhe nisi të komunikojë me tezen e tij Aya.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa bën të ditur se i vogli, pasi hapi sytë në dhomën e tij në njësinë e kujdesit intensiv të spitalit Regina Margherita në Torino, filloi të shikonte përreth.

Ai lëvizi kokën, u përpoq të kuptonte se ku ishte dhe i ra në sy tezja e tij Aya. Pak më vonë nisi të vuante nga dhimbja e shkaktuar nga frakturat dhe traumat, citon noa.al.

“Fëmija tani është zgjuar dhe është i vetëdijshëm ndërsa po trajtohet në njësinë e kujdesit intensiv”, lexohet në buletinin ditor për kushtet e tij shëndetësore.

“Nga pikëpamja klinike ai është gjithmonë në një prognozë të rezervuar, për shkak të traumës torakale dhe abdominale, si dhe për frakturat e gjymtyrëve. Në ditët e ardhshme ai do të dalë nga Reanimimi dhe do të transferohet në një repart spitalor”.

Përveç tezës Aya, me Eitanin e vogël, është edhe mjekja Marina Bertolotti, një psikologe e cila, meqenëse u vendos që të zgjohej i vogli nga koma e shkaktuar, ka punuar me ekipin e saj për të parandaluar që fëmija të traumatizohet gjatë zgjimit. “Fëmija do të ecë bashkë me kohën”, – shpjegojnë punonjësit shëndetësorë dhe të afërmit do të vendosin se çfarë t’i thonë.

Varrimi i familjes Biran – babai Amit, gruaja Tal dhe djali Tom – të cilët vdiqën në tragjedinë e teleferikut që ra në Mottarone u zhvillua në një fshat në Izraelin verior ndërsa djali tjetër Eitan është i shtruar në Torino.

Komuna e Pavia ka shpallur për sot, të Premten 28 Maj, ditë zie në qytet për të kujtuar viktimat e aksidentit të teleferikut Mottarone.

Ngjarja është kualifikuar si veprim kriminal pasi dyshohet se tre të arrestuarit e kanë bërë qëllimisht. Shefi i shërbimit të teleferikut Mottarone, Gabriele Tadini, ka pohuar se frenat e emergjencës ishin çaktivizuar qëllimisht.

Ai tha se sistemi i frenave të emergjencës kishte dalë jashtë funksionit duke shkaktuar kështu rrëzimin tragjik ku humbën jetën 14 persona.