Një 42 vjeçar i dënuar në Shqipëri për vrasjen e një gruaje, ka hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe dhe kërkon azil me pretendimin se ka frikë nga gjakmarrja nëse rikthehet përsëri në vendlindje.

Mediat e huaja bëjnë me dije se shqiptari me iniciale A.M. 42 vjeç ka hyrë bashkë me një grup prej 68 emigrantësh të tjerë në Angli, me një anije peshkimi për të cilën kontrabandistët merrnin deri në 3,000 paund për person.

Shqiptari ka qëlluar për vdekje një nënë para vajzës së saj 8-vjeçare. Në lidhje me këtë ngjarje ai është mbajtur në paraburgim që nga nëntori i vitit të kaluar, teksa kërkon që të mos kthehet në Shqipëri.

Dokumentet e gjykatës zbulojnë se edhe ndërsa ishte në paraburgim në prill, ai u kap me drogë  të klasit A, e cila u testua dhe u zbulua se ishte kokainë. Ndërkohë kërkimet zyrtare kanë zbuluar se ai është burgosur për dy vjet për vjedhje në Shqipëri dhe 16 muaj për një vepër tjetër të panjohur.

Vrasësi, të cilit i është dhënë anonimati nga gjykata, ishte midis 69 shqiptarëve që kanë qenë në gjendje të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar pasi një grindje ligjore i lejoi ata të hiqnin akuzat penale të imigracionit.

Anija e tyre e peshkimit u zbulua në brigjet e Anglisë Lindore në 18 nëntor gjatë rrugës nga Belgjika në një operacion që përfshinte 250 oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimit, policisë dhe Forcave Kufitare.

Ndër të tjera 42-vjeçari pretendoi se ai ishte trafikuar në Greqi kur ishte adoleshent dhe ishte rrahur dhe detyruar të punonte atje. Shqiptari gjithashtu pretendoi se ai ishte viktimë e torturës, duke thënë se ishte ngacmuar dhe rrahur nga oficerët e policisë ndërsa ishte në burg.