Pasi u kallëzua penalisht nga tre efektivë policie të cilët pretendonin se i ka penguar dhe ofenduar, kreu i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ka reaguar duke lëshuar sërish ofendime ndaj këtyre efektivëve.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ndreu thotë se kallëzimi penal është bërë nga policë bark derra, që kapërcejnë kompetencat dhe kryejnë veprime në kundërshtim me ligjin.

Ndreu në reagimin e tij e pranon se ka tejkaluar orën policore në hotelin ku po qëndronte, por shton se policët ishin të dhunshëm.

‘Kallzim penal nga police barkderre, qe kapercejne kompetencat dhe kryejne veprime ne kundershtim me ligjin?!

-Qe nderhyjne ne nje darke zyrtare me prezencen e 15 kryetarve te komunave te Kosoves, me veprime te dhunshme, kur mund te shkruanin gjoben sipas ligjit qe eshte deryra qe duhet te benin ne keto raste!

-Me e keqja eshte se ndersa kryenin veprime te dhunshme ne nje darke zyrtare, shumica e lokaleve te Shengjinit ishin hapur, apo  rrine hapur cdo nate deri ne oren 02, gje qe vertetohet me hapjen e kamerave lehtesisht.

– Pretendimi qe jane fyer eshte menyre per te shmange tejkalimin e kompetencave, veprimet e dhunshme ne nje darke zyrtare dhe shperdorimin e detyres duke mos vepruar ne lokalet e tjera qe ishin hapur pothuaj te gjitha.

Duke kerkuar ndjese per tejkalimin e orarit me 20 min, theksoj se gjoba do ishte korrekte, por jo veprimet e dhunshme.

Zhargoni qe vesh media me pretendime policesh me bark te fryre nga birra, eshte i tepruar.

Si drejtuesh i pushtetit vendore e kam per detyre te mbaj qendrim kur policia tejkalon masen dhe kryen veprime te dhunshme kur nuk kishte asnje kontigjent kriminal ne ate darke.

Por pikerisht kjo eshte problematike, se ndersa kontigjentet kriminal bejne ca te duan dhe si prek njeri, nje shkelje qe meriton gjobe per kedo, edhe per mua, behet gurgule!’-shkruan Ndreu.

Lidhur me këto deklarata sot në një konferencë për mediat, kryeministri Edi Rama ka komentuar edhe kallëzimin që 3 efektivë të policisë i kanë bërë, Pjerin Ndreu duke thënë se do të mbajë përgjegjësi.

“Kur vjen puna për ofendimin e policisë askush nuk ka atë drejtë dhe nuk mund t’ia hedh lehët pa u përpallur me ligjin për ofendim e policisë, por kur i bëhet dhe një ofendim i vazhdueshëm kur i hidhet faj  për çdo gjë që ndodh, ky është një ofendim shumë më i madh se sa ai individual i një personi ndaj 2 apo 3 efektivëve. Unë do të shqetësohesha nëse polica dhe strukturat përkatëse nuk do të kishim ndjekur rrugën ligjore, të gjitha gabojmë, të gjithë të përgjigjen për gabimet e tyre, nuk kemi një tolerim të rastit, ku një zyrtar i lartë ofendon një grup të efektivë, por ofendimi i madh është ofendimi i përditshëm dhe mungesa e mbështetjes. Duhet ta përsëris ne jemi të shqetësuar çdo ditë që puna të bëhet më mirë, por të thuash që disa ngjarje shumë të rënda dhe fatkeqësisht na e bëkan Shqipërinë të kthehet pas është shumë qesharake, asnjë turistë nuk po kthehet pas”, tha Rama.

“Është një rast për të cilin është bërë denoncim dhe çështja mes palëve zgjidhet në rrugë ligjore. Nuk kemi bërë mbulesë. PS nuk e mbuloi. Ka bërë shumë gabim dhe të përgjigjet në rrugë ligjore.” ka shtuar Rama mes të tjerash.