Armando Broja ka nënshkruar një kontratë të re afatgjatë me Chelsea, që e angazhon atë në “Stamford Bridge” të paktën deri verën e vitit 2026. Sulmuesi i ri shqiptar, i cili do të mbushë 20 vjeç në shtator, kaloi sezonin e kaluar në huazim te Vitesse Arnhem në Eredivisie, ku bëri 34 paraqitje. 11 golat e tij ndihmuan ekipin hollandez ta mbyllë kampionatin në vendin e katërt dhe të luajë finalen e Kupës KNVB, në të cilën u mund nga Ajax.

Para kësaj lëvizje huazimi, lojtari i kombëtares shqiptare debutoi me ekipin e parë të Chelsea në mars 2020, duke ardhur nga pankina në një ndeshje të Premier League me Everton. Broja ka qenë në akademinë e bluve të Londrës qysh 9 vjeç, gjithmonë duke luajtur si sulmues dhe duke shënuar gola.

Në skenën ndërkombëtare, Broja ka përfaqësuar Shqipërinë që nga grupmosha U-16 vjeç dhe debutoi me kombëtaren e madhe kuqezi tri ditë para ditëlindjes së tij të 19-të, shtatorin e kaluar, në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Lituanisë. Që atëherë ai ka grumbulluar gjashtë ndeshje për ekipin kombëtar. Luajti si startues në eliminatoren e Kupës së Botës kundër Anglisë, në mars.

Lidhur me nënshkrimin e kontratës së tij të re, Broja tha: “Jam me të vërtetë i ngazëllyer që po nënshkruaj një kontratë të re me Chelsea. Duke ardhur përmes akademisë këtu ishte një moment i veçantë për mua, që të debutoja në ekipin e parë vitin e kaluar, para se të fitoja përvojë të mëtejshme në huazim te Vitesse, sezonin e kaluar. Unë dua të vijoj mbi këto baza dhe me të vërtetë pres që të përparoj e të ndikoj te Chelsea në vitet që vijnë”.