Leo Messi ndodhet në Paris, qytet ku do të vazhdojë karrierën. Tifozë të shumtë të PSG-së u turrën drejt aeroportit për të pritur fituesin e gjashtë “Topave të Artë”, i cili do të firmosë një kontratë 2+1 me klubin francez (35 milion euro në sezon + bonuset).

PSG shkruan në Twitter se 34-vjeçari do të dalë nesër (e mërkurë) në konferencën për shtypin në ambientet e stadiumit “Parc des Princes”, duke nisur orës 11:00, teksa televizioni i PSG do të nisë transmetimet live një orë më përpara.

PSG luan takimin e dytë në kampionat të shtunën. Ekipi i Mauricio Pochettinos do presë Strasbourg në shtëpi dhe tifozët po nxitojnë të blejnë biletat, për të shijuar nga afër prezantimin e yllit latin me ekipin e tyre të zemrës.

Çmimi i biletave është rritur në mënyrë të ndjeshme prej momentit që u zyrtarizua akordi i Messit me PSG-në. Në faqen zyrtare të shitjes së biletave të klubit, lexohet se çmimet e biletave për duelin e fundjavës kanë prekur shifrat 800-1000 €!

Përpara ndeshjes me Strasbourg, PSG do të organizojë një ceremoni për nder të Leo Messit, të cilën tifozët nuk duan të humbasin për asnjë shkak. Debutimi i “pleshtit” me ekipin e ri në “Parc des Princes” pritet të ndodhë më 12 shtator ndaj Clermont.