Talebanët nuk kanë në plan të hakmerren me asnjë person në Afganistan, por synojnë të bëjnë kalim paqësor të pushtetit.

Këtë e deklaroi pak minuta më parë një zyrtar taleban, duke folur me BBC. Ai theksoi se nuk do të ketë hakmarrje për askënd, përfshirë afganët që kanë bashkëpunuar prej 20 vitesh me amerikanët.

“Talibanët kanë urdhëruar luftëtarët e tyre të hyjnë në pjesë të Kabulit për të parandaluar plaçkitjen”, ka thënë zëdhënësi i tyre Zabihullah Mujahid, sipas rrjetit televiziv afgan Tolo.

Për shkak se forcat e sigurisë kishin lënë pjesë të qytetit dhe pikat e tyre të kontrollit, forcat talebane po hynin për të parandaluar kaosin dhe plaçkitjen, shtoi ai.

Në deklaratë, talebanët u bënë thirrje njerëzve të mos kenë frikë nga militantët e tyre.

Talibanët arritën të futen dhe në Kabul gjatë ditës së diel. Presidenti Ghani që deri dje thoshte se nuk dorëzohej, sot dezertoi dhe u largua drejt Taxhikistanit. Zëvendëspresidenti Amrullah Saleh gjithashtu raportohet se ka ikur.

SHBA qëndroi në Afganistan për 20 vjet që në vitin 2001 kur ndërhyri ushtarakisht dhe largoi talebanët nga pushteti. Dy dekada më pas, amerikanët vendosën të largohen nga Afganistani. Zyrtarët e saj thanë në maj se me ikjen e ushtrisë amerikane, talebanët do ta merrnin kontrollin e vendit brenda 6 muajsh.

Luftëtarët talebanë janë urdhëruar të hyjnë në Kabul për të parandaluar plaçkitjen e qytetit. Më herët atyre iu tha që të përmbahen e të distancohen nga dhuna dhe të lejojnë kalim të sigurt për këdo që dëshiron të largohet.

Transferimi paqësor i pushtetit në qeverinë kalimtare është duke u përgatitur, tha edhe ministri i Brendshëm në detyrë.