Simon Kjaer, mbrojtësi i Milanit, dha një intervistë të bukur dhe të gjatë ekskluzivisht për mikrofonat e “Corriere della Sera”. Qendërmbrojtësi danez iu kthye episodit të frikshëm që ndodhi me Christian Eriksen, në fushën e blertë.

Po flasim për arrestin kardiak që pësoi ylli i Interit gjatë ndeshjes së Kampionatit Europian, Danimarkë-Finlandë, dhe atë që bëri për mikun e tij: “Unë nuk jam hero. Thjesht bëra atë që duhej të bëja, pa menduar për përgëzimet më pas, siç do të kishte bërë dikush tjetër”.

Mbi kujtimet që ka për atë ditë, Kjaer më pas shtoi: “Fillimisht festa, pastaj heshtja. Ishte një ditë historike për të gjithë ne danezët, ndeshja e parë e një Europiani në shtëpinë tonë. Pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Unë kisha gatishmërinë për të ruajtur qartësinë, si të gjithë shokët e mi të skuadrës.

Simon Kjaer (difensore AC Milan), capitano della Danimarca agli Europei 2021 | News (Getty Images)

Ishte një përpjekje ekipore, padyshim që do të kishim bërë të njëjtën gjë nëse do të kishte qenë një kundërshtar. Kjo është e gjitha. E vetmja gjë që ka rëndësi; Christian është mirë tani. Vetëm kjo është e rëndësishme”.

I pyetur se si arriti të veprojë me gjakftohtësi, Kjaer shpjegoi: “E bëra pa menduar. Instinkti më udhëhoqi dhe unë bëra atë që duhej, automatikisht. Ishte hera e parë që më ndodhte kjo, shpresoj të jetë edhe e fundit”.

A nuk do të bënte një futbollist më mirë, po të mësonte teknikat e ndihmës së shpejtë? Përgjigjet Kjaer: “Sigurisht. Shpresoj që ai moment dramatik të ketë rritur ndërgjegjësimin për këtë temë. Mjekët ishin shumë të mirë, ata ndërhynë menjëherë, por sigurisht të dish se çfarë të bësh në momente të caktuara është thelbësore. Mund të shpëtosh një jetë”.